Qeveria ”Kurti” për tri vite më shumë shpenzoi për ndërtimin e trotuareve sesa autostradave

Qeveria ”Kurti” për tri vite më shumë shpenzoi për ndërtimin e trotuareve sesa autostradave

Qeveria e Kosovës, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, për tri vjet ka shpenzuar më shumë para nga buxheti i Kosovës për ndërtimin e trotuareve sesa për ndërtimin e autostradave.

Sipas raportit vjetor financiar të buxhetit të Kosovës për vitin 2025, të përgatitur nga Ministria e Financave, gjatë viteve 2023-2025 për ndërtimin e trotuareve në nivel vendi janë shpenzuar 25 milionë euro, përderisa për ndërtimin e autostradave gjatë kësaj periudhe kohore 3-vjeçare janë shpenzuar 22 milionë euro.

Për me keq, shpenzimet më të ulëta buxhetore për ndërtimin e autostradave kanë qenë vitin 2025, kur janë shpenzuar vetëm 3.6 milionë euro, ndonëse shumë projekte të mëdha infrastrukturore kanë mbetur të gjysmë, të cilat kanë filluar të ndërtohen para se kryeministri Kurti të vitin në pushtet.

Ndonëse Albin Kurti kishte premtuar se autostrada e Gjilanit do të përfundonte në vitin 2023, ky projekt infrastruktoror nuk do të përfundoj as gjatë vitit 2026. Larg përfundimit është edhe autostrada e Podujevës dhe shumë projekte të mëdha infrastrukturore.

As me ndërtimin e urave në nivel vendi nuk mund të mburret Qeveria Kurti gjatë dy viteve të fundit, ku për projekte të tilla gjatë viteve 2024 dhe 2025 janë shpenzuar rreth 9 milionë euro, përderisa urat më të “famshme” të përfunduara gjatë mandatit të kësaj Qeverie janë ajo e Saradranit në Istog dhe Ura e Badovcit, të cilat kishin zgjatur me vite deri në përundim.

Pak më shumë buxhet është shpenzuar gjatë mandatit të kësaj qeverie në ndërtimin e rrugëve lokale, ku kanë kontribut më të madh kryetarët e Komunave, përkatësisht 355 milionë euro për tri vjet dhe rrugëve regjionale 188 milionë euro për tri vjet, raporton Front Online.

Ish-ministër të Infrastrukturës dhe ish-zv.ministër të Transportit e përfaqësues politikë e ekonomikë kanë vlerësuar se qeveria e udhëhequr nga kreu i LVV-së, Albin Kurti ka devijuar nga prioritetet strategjike, duke u fokusuar më shumë në projekte të vogla sesa në ndërtimin e autostradave dhe zhvillimin e infrastrukturës madhore.

Sipas tyre, kjo qasje reflekton mungesë vizioni dhe menaxhim joefikas të buxhetit, duke ngritur shqetësime për shpërndarje të pabalancuar të investimeve dhe zvarritje apo ndërprerje të projekteve të rëndësishme rrugore.

Pal Lekaj: Prioritetet e Albin Kurtit janë kthyer në propagandë, autostradat në harresë

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka akuzuar Qeverinë Kurti për dështim në zhvillimin e infrastrukturës strategjike, duke thënë se prioritetet janë zhvendosur nga projektet madhore drejt investimeve më të vogla.

Sipas Lekajt, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka shpenzuar më shumë mjete për rregullimin e trotuareve sesa për ndërtimin e autostradave.

“Qeveria Kurti ka dështuar në ndërtimin e autostradave sepse ka humbur prioritetet zhvillimore. Ka shpenzuar më shumë për trotuare sesa për infrastrukturë strategjike që lidh ekonominë dhe rajonin”, u shpreh Lekaj.

Ai për “Front Online” vlerësoi se Qeveria aktuale ka dështuar në aspektin menaxherial.

“Në vend të projekteve madhore, ka zgjedhur investime të vogla për efekt propagandistik, duke lënë në harresë autostradat që sjellin zhvillim dhe punësim. Ky është dështim i qartë i vizionit dhe menaxhimit”, ka deklaruar Lekaj.

Grabovci: Sa ka ndërtuar rrugë Qeveria Thaçi me 500 milionë € buxhet s’po mundet të ndërtojë Qeveria Kurti me buxhet miliardësh

Ish-zëvendësministri i Transportit, Adem Grabovci ka kritikuar qeverinë aktuale lidhur me menaxhimin e infrastrukturës në vend, duke bërë krahasime me periudhën e qeverisjes së Hashim Thaçit.

Grabovci u shpreh për “Front Online” se me rreth 500 milionë euro buxhet, kanë realizuar projekte që mbeten shembull edhe sot.

“Mua më vjen keq kur e mendoj qeverisjen e Hashim Thaçit, kur e kujtoj gjendjen që kemi pasur në infrastrukturë dhe në përgjithësi në Kosovë, si dhe mundësitë që kanë ekzistuar atëherë ka qenë mjerim. Megjithatë, ne kemi qenë shembull dhe ajo qeveri do të mbetet e papërsëritshme, duke pasur parasysh kushtet dhe mundësitë e asaj kohe. Atëherë kemi pasur rreth 500 milionë euro, dhe me ato mjete e kemi shndërruar Kosovën në një kantier ndërtimi”, tha Grabovci.

Ai kritikoi qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, duke thënë se s’po arrin t’i mbajë rrugët e ndërtuara në qeverisjen Thaçi.

“Sot kjo qeveri ka buxhet miliardësh dhe nuk mund të identifikohet as me një projekt të vetëm. Qeveria e Albin Kurti nuk po arrin as t’i mirëmbajë rrugët që janë ndërtuar gjatë qeverisjes Thaçi, e lëre më të realizojë projekte të tjera”, ka thënë Grabovci.

Haziri: Qeveria ”Kurti” ka përjashtuar të gjitha programet për Anamoravën, përfshirë autostradën e Gjilanit

Ish-kryetari i Gjilanit dhe deputeti aktual i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur lidhur me mënyrën e planifikimit dhe realizimit të projekteve infrastrukturore në vend nga Qeveria aktuale.

Sipas tij, ndarja e fondeve tregon një qasje të pabalancuar ku 22 milionë euro shpenzohen për autostrada, ndërsa 25 milionë për trotuare.

“Mungesë e vizionit për të planifikuar një dinamikë për me i realizuar këto projekte sepse ka pasur dhe ka buxhet. Kur 22 milionë euro harxhohen për autostrada e 25 për trotuar kjo tregon qartë se është përjashtuar plotësisht dhe është mungesë e vullnetit politik dhe jo veç e planifikimit. Kjo është kur nuk ka vullnet dhe përjashtohet një regjion i tërë nuk ka të bëjë vetëm me Anamoravën por edhe me shqiptarët që jetojnë në Bujanoc dhe një pjesë e madhe e Kumanovës”, thotë Haziri.

Haziri shprehet se kjo situatë nuk lidhet vetëm me Anamoravën, por prek edhe shqiptarët në rajone të tjera.

Ai shtoi gjithashtu se është e çuditshme që në zonat ku ka përfitime më të mëdha politike punohet më shumë.

 “Nuk janë vetëm autostradat janë edhe programet e tjera si rrugët rajonale, të gjitha programet që lidhen me Anamoravë janë përjashtuar dhe nuk filluar ose me probleme në zbatim kjo është dënim politik e kolektiv për këtë vend ndërsa në zgjedhje e morën mbështetjen e madhe politike. E çuditshme se në ato vende ku përfitojnë më shumë politikisht punojnë më shumë por edhe në Gjilan kanë pasur përfitim politik por e kanë shkelur me dy këmbë zotimin dhe pritjet”, u shpreh Haziri.

Related Articles