Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Ky vendim është marrë në mbledhjen elektronike të mbajtur të premten.
Tetë muaj më parë Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar disa nene të këtij ligji.
Ai është dërguar për vlerësim në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kishin vlerësuar se është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për administratën publike.
Për këtë ligj patën reaguar edhe nga Bashkimi Evropian, duke shprehur shqetësim me disa dispozita të tij.
“Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik përkitazi me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë në mënyrë efektive burimet njerëzore, pasi shton liri të tepruar veprimi në procedurat e rekrutimit, transferimit si dhe në procedurat disiplinore të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cenueshëm ndaj politizimit”, thuhej në njoftimin e BE-së.
Në mbledhjen elektronike është emëruar edhe komisioni ad-hoc për vlerësimin profesional për përzgjedhjen e drejtorit ekzekutiv në Agjencinë Antidoping: Xheladin Krasniqi, ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryesues; Fadile Dyla, sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtare; Anita Kalanderi, sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, anëtare; Taulant Balaj, udhëheqës i Divizionit për Burime Njerëzore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar; Gëzim Murseli, ekspert i jashtëm, anëtar.