Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhjen e saj të shtatë më 30 mars, e hënë në orën 09:00, ku në rend dite janë një sërë vendimesh.
Në fillim të mbledhjes, pritet të shqyrtohet propozimi për ndarjen e shpërblimit për futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, si dhe miratimi i pagesës së pagës së 13-të për punonjësit që financohen nga Buxheti i shtetit.
Një nga pikat e rendit të ditës është edhe propozimi i Ministrisë së Mbrojtjes për t’i kërkuar Kuvendit dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.
Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë duke u bërë gati për dislokim në Gazë, dhe po e presin vetëm dritën e gjelbër nga institucionet shtetërore.
Kosova është zotuar se do të dërgojë trupa në këtë vend të shkatërruar nga lufta në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), mekanizëm që është paraparë të formohet me themelimin e Bordit të Paqes – nismës së presidentit amerikan, Donald Trump për arritjen e paqes në botë.
Krahas vendimit për dërgimin e trupave në Gazë, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.
Komandanti i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Jasper Jeffers, ka bërë të ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – përfshirë Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar se do të angazhojnë trupa, me qëllim të ofrimit të sigurisë në Gazë.
Megjithatë, në publik dihet pak se kur do të dislokohen ushtarët e FSK-së atje, dhe sa do të jetë numri i tyre.
