Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në mbledhjen e 263-të të Qeverisë në detyrë janë marrë gjithsej 13 vendime, përfshirë ndarje buxhetore dhe projekte zhvillimore në disa fusha të rëndësishme.
Kurti ka njoftuar se një ndër vendimet më të rëndësishme ishte ndarja e 4 milionë eurove për mbulimin e policës së sigurimit (kartonit të gjelbër) për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë gjatë sezonit të verës.
Po ashtu, janë ndarë 626,400 euro për mbështetjen e arsimit dhe lobimit institucional për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, përfshirë bursa për studentët, mbështetje për nxënësit si dhe financim të aktiviteteve avokuese dhe lobuese në nivel ndërkombëtar.
Ndër vendimet e tjera të miratuara ishin:
Aprovimi i një huamarrjeje deri në 10 milionë euro për “Infrakos Sh.A.”, për mbulimin e obligimeve të likuiditetit dhe vazhdimin e punimeve në rehabilitimin e linjës hekurudhore 10;
Rialokimi i 50 mijë eurove për ndriçimin publik në fshatin Nakell dhe Gorazhdec në komunën e Pejës;
Emërimi i Komitetit Ndërministror për shëndetin njerëzor, shtazor dhe mjedisor “Një shëndet”.
Gjithashtu, qeveria ka vendosur shpronësimin e pronave të paluajtshme ish-shoqërore në Komunën e Hanit të Elezit, për realizimin e disa projekteve infrastrukturore si:
Rindërtimi i Fushës së Futbollit;
Rregullimi i pronësisë për Fabrikën e Ujit;
Ndërtimi i Qendrës për Kulturë dhe Rini;
Zgjerimi i rrugës pranë Terminalit Doganor.
“Qeveria në detyrë është në shërbim të qytetarëve dhe nuk ndalet në përkushtimin për të mirën e përbashkët”, theksoi Kurti në postimin e tij në Facebook.