Qeveria e Kosovës ka dalë me detaje të reja rreth situatës me vërshime në disa qytete të vendit.
Sipas Qeverisë, përballja me përmbytjet e shkaktuara nga reshjet atmosferike po vazhdon edhe sot.
Kurse, kanë treguar se në cilat vende është situata më e vështirë.
Komunikata e plotë:
Përballja me përmbytjet e shkaktuara nga reshjet atmosferike po vazhdon edhe sot, teksa institucionet e vendit dhe mekanizmat e tyre kanë vazhduar punën pandërprerë në menaxhimin e situatës dhe në ndihmë të qytetarëve.
Deri më tani situatë më e vështirë është vërejtur në:
-fshatrat Verboc dhe Barilevë të Komunës së Prishtinës;
-në fshatrat Sekiraq, Sibofc dhe Reçicë të Podujevës;
-në komunën e Skenderajt;
-në Istog, ku ka pasur edhe raste të evakuimit, të cilët janë akomoduar në Qendrën e Komunale të Mjekësisë Familjare;
-në Klinë, ku po ashtu janë evakuar mbi 40 famije, kurse në fshatin Shtaric, falë ndërhyrjes së policisë dhe autoriteteve është shmangur një situatë e cila rrezikonte jetën e dy qytetarëve;
– në lagje të ndryshme të Komunës Jugore të Mitrovicës janë vërshuar;
-në Komunën Veriore të Mitrovicës, ku probleme më të theksuara janë paraqitur në Lagjen e Boshnjakëve ku janë rrezikuar 7 shtëpi;
-në Komunën e Zveçanit, ku janë rrezikuar 40 shtëpi,
– në fshatrat Kutnje dhe Kernin i poshtëm të komunës së Leposaviqit, ku 4 familje janë evakuar dhe 20 shtëpi janë në rrezik, ndërsa në Zubin Potok në rrezik janë 30 shtëpi.
Sot në mëngjes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Mbrotjes, Armend Mehaj dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi vizituan komunën e Istogut. Krahas 20 pjesëtarëve të FSK-së që po angazhohen për t’u dalë në ndihmë banorëve të fshatit Drejë, në Istog, Kryeministri u takua edhe me kryetarin e kësaj komune, Ilir Ferati si dhe vizitoi qytetarët e evakuar të cilët po qëndrojnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore do të qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata.