“Qeveria s’ka përmbushur premtimet – U krijua iluzion se mund të bëhen mrekulli”

“Qeveria s’ka përmbushur premtimet – U krijua iluzion se mund të bëhen mrekulli”

Qeveria Kurti erdhi në pushtet me iluzionin e krijuar nga qytetarët se mund të bëjë mrekulli, krejt kjo për shkak të zhgënjimit me qeveritë e kaluar”, vlerëson njohësi i rrethanave politike në vend, Fatmir Qollaku.

Qollaku deklaron se ka përparim dhe ngecje sa i përket punës së Qeverisë, duke shtuar se qytetarët nuk janë të kënaqur edhe me këtë Qeveri.

Tutje, ai shtoi se pritshmëria e qytetarëve po del se nuk është realizuar sepse ka perceptim se kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë.

“Në çdo performancë të secilit subjekt në këtë rast Qeverisë ka rezultatet të dukshme të punës cilësore të tyre, por mund të ketë edhe mosrealizim të objektivave të synuara. Mendoj se pritshmëria e qytetarëve ka qenë shumë më e madhe për shkak të zhgënjimit me qeveritë e mëhershme dhe kësisoj është krijuar një iluzion që kjo Qeveri është Qeveri e mrekullive për të bërë ndryshime të mëdha. Prandaj kjo pritshmëri e qytetarëve po del se nuk është realizuar sepse ka perceptim se kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë”.

Njohësi i rrethanave politike në vend, Fatmir Qollaku

Por profesori Qollaku theksoi se nuk do të ketë kaos sepse Qeveria dhe institucionet e vendit do të marrin masat nevojshme për sigurinë e brendshme.

“Nuk do të prodhohet kaos sepse Qeveria dhe institucionet do të ndërmarrin masat dhe veprimet operative konform mandatit të institucioneve për sigurinë e brendshme dhe mbarëvajtjen e proceseve publike dhe proceseve të mëdha”.

Përderisa ish-deputeti i LDK-së, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se asnjë Qeveri deri më tani nuk ka përmbushur premtimet e dhëna, duke shtuar se dështimi i kësaj qeveria është në çështjen e energjisë e pandemisë.

Madje, Ibishi tha se Kosova duhet të përgatitet për dialogun me Serbinë, sepse ky proces i rëndësishëm për vendin sipas tij, duhet të vazhdojë.

“Mendoj që premtimet asnjë Qeveri gati nuk i përmbush. Këtu dështimi është në ngecje në çështjen e energjetikës që po hyjmë në një fazë të ndjeshme të dimrit dhe është dashtë të mendohet që do të vijmë në këtë krizë, por edhe tejkalimi i situatës me Covid që po kthehet me të madhe në aspektin e sigurisë shëndetësore”.

Sipas tij, tensionet nga Serbia janë çdo herë të pritshme, andaj Qeveria duhet që të jetë këmbëngulëse me qëllim që të pengohet të shkelet sovraniteti dhe integriteti.

“Në dialog me Serbinë ka ngecje por mendoj që mirë është me Serbinë të përqendrohemi në kërkesat tona jo vetëm t’i përmbahemi një agjende. Duhet të përgatitemi për dialogun sepse ai duhet të ndodhë.. Sa i përket tensioneve nga Serbia ajo është çdo herë e pritshme”.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi

“Ne përfundimisht duhet si shtet të tregojmë subjektivitetin tonë dhe të ndalim këtë avaz serb. Mendoj që në këtë drejtim nuk ka më hamendje duhet të qëndrojmë. Qeveria duhet që të jenë shumë këmbëngulës që më Serbia mos të luajë me Kosovën duke bërë presione prej me të ndryshmeve me qëllim që të shkelë sovranitetin duke organizuar zgjedhje”, tha Ibishi.

Related Articles