Bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22 mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Në një komunikatë për media, Qeveria e Republikës së Kosovës ka dhënë detaje lidhur me takimin, ku ka njoftuar se çështja qendrore e këtij takimi, ishte zbatimi i Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Zbatues të Ohrit.
Nga Qeveria pohojnë se zëvendëskryeministri Bislimi ka ritheksuar se nënshkrimi i marrëveshjes është garanci për zbatim të plotë të saj.
“Çështja qendrore e këtij takimi, ishte zbatimi i Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Zbatues të Ohrit. Mbi këtë, zëvendëskryeministri ritheksoi se nënshkrimi i marrëveshjes është garanci për zbatim të plotë të saj, konform refuzimit të vazhdueshëm nga Serbia si për nënshkrim, ashtu dhe zbatim. Marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të barabartë e të balancuar mes palëve e që reflekton zbatimin në plotni të saj.
U trajtuan mundësitë se si të formalizohet e respektivisht të regjistrohet Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Zbatimit. U kuptua brenga e Kosovës se mosnënshkrimi ka ndikuar në moszbatim të marrëveshjes, por edhe në ashpërsinë e situatave në terren, qoftë përmes barrikadave, qoftë me sulme si ai në Banjskë, e që më pas kulmoi me letrën e kryeministres Bërnabiqit drejt BE-së dhjetorin e kaluar, ku mes tjerash thuhet se Serbia nuk e respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Kundrejt kësaj, në takim u riafirmua përsëri refuzimi nga pala serbe mbi marrëveshjen, në zbatim e nënshkrim të saj. Në prani të ndërmjetësuesit, kryenegociatori serb e bëri të qartë që për Serbinë nuk do të zbatohen asnjëherë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me njohjen de facto, integritetin territorial apo anëtarësimin e Kosovës në OKB”, thuhet në komunikatë.
Mw tej nga Qeveria njoftojnë se ndër të tjera u diskutua edhe mbi tema të tjera të procesit të dialogut si çështja e energjisë dhe mbarëvajtja e zbatimit të saj në terren si dhe kërkesa nga ana e Kosovës për kthimin e artefakteve e për të cilën pala kosovare ka dorëzuar dhe dosje drejt BE-së.
“Në takim u diskutua dhe mbi tema të tjera të procesit të dialogut si çështja e energjisë dhe mbarëvajtja e zbatimit të saj në terren si dhe kërkesa nga ana e Kosovës për kthimin e artefakteve e për të cilën pala kosovare ka dorëzuar dhe dosje drejt BE-së. U trajtuan edhe një varg shkeljesh të marrëveshjeve nga ana e Serbisë, përfshirë në fushën e energjisë, telekomunikacionit, interferimit në brezin e frekuencave nga ana e stacioneve televizive serbe, si dhe obstruksioni i Serbisë në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, njofton Qeveria.
Po ashtu, palët kanë folur edhe për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, ku thuhet se pati dakordim që deri në fundjavë të sjellin ide konkrete se si mund të duket një zgjidhje afatshkurtër, e sipas Qeverisë, gjithnjë duke respektuar vendimin në fjalë të BQK-së.
“Më tej, u përmend dhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës dhe shqetësimet e fundit rreth saj. Palët u dakorduan që deri në fundjavë të sjellin ide konkrete se si mund të duket një zgjidhje afatshkurtër, gjithnjë duke respektuar vendimin në fjalë të BQK-së. Palët u pajtuan që të ofrojnë propozime teknike deri me datë 22 mars, të tilla që pastaj do trajtohen tutje në një takim të ri. Republika e Kosovës e ka bërë të qartë që do ofrojë zgjidhje teknike sipas planit që ajo u ka ofruar edhe shteteve të QUINT-it javë më parë”, thuhet në komunikatë.