Qindra burra kanë qëndruar në radhë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, për t’u regjistruar për t’u bashkuar me forcat e armatosura.
Një qytetar me emrin Volodymyr Onysko tha e ai doli vullnetar për të luftuar.
Ai nuk kishte asnjë dyshim se forcat ukrainase do të fitonin, duke thënë se ata e dinin se çfarë po bënin, ndryshe nga rusët.
Një burrë që tashmë ishte rekrutuar tha se e ndjente se ishte detyrë e tij të bashkohej me ushtrinë.
“Dua të luftoj. Dua që familja ime të kthehet në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Vyacheslav Radchenko.
Në një tjetër pjesë të kryeqytetit ka qenë një radhë e gjatë njerëzish që prisnin të hynin në një dyqan që shiste veshje kamuflazhi dhe uniforma ushtarake.
Ata po përpiqeshin për të siguruar gjithçka që do t’i ndihmonte të përgatiteshin për më të keqen.
Ndërkohë, më shumë ukrainas të zhvendosur vazhduan të mbërrinin në stacionin e Kievit nga Lindja.
Aty ishte edhe veterani i ushtrisë britanike, Mark Ayres, i cili tha se kishte udhëtuar në Kiev për t’u bashkuar me luftëtarët ukrainas.
Ayres e pranoi se mund të vdiste, por këmbënguli se nuk e shihte veten si hero.
“Unë nuk kam iluzione. Nuk kam ide romantike për luftën”, tha ai.
Një urdhër qeveritar i ndalon burrat e moshës 18 deri në 60 vjeç të largohen nga vendi, për t’i mbajtur ata të disponueshëm për rekrutim ushtarak.