Thirrja e ministrit së Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për t’i regjistruar automjetet në RKS, nuk është se u hyri në vesh të gjithë qytetarëve serbë, pasi disave prej tyre edhe iu lëshua fletëqortimi për qarkullim me targa ilegale.
Sot ka qenë dita e parë e hyrjes në fuqi për masën e qortimit ndaj qytetarëve serbë të cilët kalojnë në pika kufitare me targa ilegale. Andaj, si rezultat edhe pjestarët e KFOR-it gjatë ditës dolën në terren për të vëzhguar situatën nga afër.
Por, se a ka tensione në veri, KFOR në një përgjigje për Gazetën Enigma tha se situata është stabile dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim në qëndrimin e forcave të misionit të KFOR-it.
“Në përgjithësi, situata është stabile dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim në qëndrimin e forcave të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO”, thanë nga KFOR-i për Gazetën Enigma.
Mes tjerash, në këtë përgjigje thuhet se KFOR-i është i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes.
“Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes”, thuhet tutje në përgjigje.
Serbia e gatshme të reagojë në rast të tensionimit të situatës
Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka deklaruar se Serbia është e gatshme të përgjigjet në çdo përshkallëzim të situatës pas aplikimit të masës së paralajmërimit nga Qeveria e Kosovëzs për ata që nuk i kanë zëvendësuar ende tabelat në RKS.
Ai tha se Serbia ka një përgjigje të përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm.
“Dhe çfarë mund të bëjë Serbia nëse ka përshkallëzime, shpërthime, tensione në rritje, trazira? Nuk mund të bëjmë asgjë?”, e pyeti prezantuesi, Vuçeviqin.
“Serbia nuk dëshiron destabilizimin e rajonit. Ajo nuk dëshiron, Zoti na ruajt, konflikte apo luftëra. Ne bëmë më shumë luftëra sesa duhej të kishim në shekullin e 20-të. Por administrata në Prishtinë duhet ta dijë se dëshira jonë për paqe, dialog dhe kompromis nuk është shenjë dobësie”.
“Dhe nuk është kërcënim për askënd, ne nuk luajmë me ato gjëra. Këto nuk janë lojëra lufte! Ky është mesazhi i një shteti të përgjegjshëm. Kjo është një ftesë për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve. Serbia nuk do të jetë thes i grushtimit”, u shpreh Vuçeviq.
Vendimi konfuz për targat
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se masa e qortimeve për targat ilegale KM, GL e të tjera është masë e butë e për atë nuk ka reagime nga komuniteti serb.
“Jemi në fazën e parë që është ajo e qortimeve dhe është një masë mjaftë e butë dhe për atë nuk kemi ndonjë reagim nga komuniteti atje. Por, për mua është mjaftë e çuditshme kjo çështja e qortimeve pasi po flasim për çështje me ligje të Kosovës”.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, thotë se vendimi i qeverisë është shumë konfuz prandaj secili polic e ka të vështirë ta zbatojë të njëjtin.
“Kemi afat 21 ditë dhe i njëjti polic mund që për 21 ditë ta qortojë të njëjtin person dhe nëse kjo mbetet vetëm qortim e qortim për 21 ditë nuk e di ku është esenca e saj. Qortimet juridikisht nuk kanë ndonjë pasojë por mbase psikologjikisht ka ndonjë ndikim se ata duhet t’i ndërrojnë targat – mirëpo juridikisht nuk ka”.
“Çështja e gjobitjes është prapë këtu në aspektin legal pasi unë nuk e di pasi vendimi që ka dërguar qeveria është konfuz pasi ka disa pika që edhe polici që është në terren e ka të vështirë ta implementojë”.
“Pas qortimeve parashihen gjobat dikur kah janari, mirëpo nuk parashihet konfiskimi e veprimet tjera” tha Qalaj.
Kurse, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se si Bashkimi Evropian ashtu edhe vendet e Quint-it, gjithmonë e kanë bërë të qartë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat ilegale si KM, GL e të tjera, pasi sipas tij, kjo është në përputhje edhe me marrëveshjen e Brukselit.
Madje, ai ka qenë shumë më i qartë sesa diplomatët tjerë kur ka theksuar se “serbëve të Kosovës duhet t’u bëhet e qartë se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës”.
“Por … do të doja të shihja përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në shtensionim. Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serbë të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës”, ka shkruar Rohde në Tëitter.
Megjithatë, ai tha se edhe përfaqësuesit kosovarë edhe ata serbë duhet të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në shtensionim të situatës dhe se këshillat e partnerëve ndërkombëtarë duhet të ndiqen.
Mirëpo, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se kërkesa për zëvendësimin e targave ilegale të makinave, që Serbia i lëshon për qytetarët e Kosovës, nuk mund të shihet më si çështje e negociueshme në dialogun Kosovë-Serbi.
Bislimi thekson se kërkesa për shtyrje të vendimit ka ardhur si një llojë korrigjimi i kërkesës së Lajçakut që implementimi të bëhet për 12 muaj.
“Kërkesa për shtyrje për 10 muaj ka ardhur si një lloj korrigjimi i kërkesës së Mirosllav Lajçakut (të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun) që implementimi të bëhet për 12 muaj. Ne, meqë vetëm kemi pasur një periudhë dymujore që e kemi zbatuar, ata kanë kërkuar që kësaj t’i shtohen edhe 10 muaj. Unë mendoj që kjo ka si bazë një interpretim të gabuar të zyrës së Lajçakut mbi implikimet që rrjedhin nga marrëveshja e vitit 2016”, ka thënë Bislimi.
Zëvendëskryeministri Bislimi thotë se pret që zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e këtyre makinave me targa të Kosovës, të shkojë mirë, pa pasur nevojë për gjobitjen e qytetarëve.
Reagime e fundit të ShBA-së dhe të BE-së nuk e ndalën vendimin për “qortim”
Pavarësisht reagimeve të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, vendimi për masën e qortimit ndaj drejtuesve të automjeteve me targa ilegale hyri në fuqi mesnatën e 1 nëntorit.
emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bëri të ditur se kërkesa për shtyrjen e afatit për 10 muaj për konvertimin e targave ilegale serbe në RKS kishte ardhur personalisht nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Mirëpo, Qeveria e Kosovës nuk e shtyu vendimin, veçse i shkallëzoi masat.
Ndërkaq, të hënën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, deklaroi se mesazhi i administratës së Bidenit për vendimin e kryeministrit Kurti për targat është i qartë.
“Përpjekjet tona janë në vazhdimësi. Ju e dini që ne lëshuam një deklaratë javën e kaluar për të bërë shumë të qartë besimin tonë dhe besimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë se Qeveria e Kosovës duhet të zgjasë periudhën e zbatimit”, thuhet të ketë deklaruar Price.
Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se Kosova, përkatësisht Albin Kurti, po i injoron lutjet e Amerikës për marrëveshjen e targave.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i injoron lutjet e administratës Biden”, ka shkruar Grennell në Twitter.
Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, mbrëmë tha se tejkalimi i punës së targave nuk do të kontribuojë në zgjidhjen e çështjeve kyçe ndërmjet Prishtinës edhe Beogradit.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Masrali, tha sot se BE-ja do të vazhdojë të punojë me Beogradin dhe Prishtinën për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave dhe u bëri thirrje të dyja t’i shmangur tensionet e reja.
Ndryshe, Policia e Kosovës deri në mesditë, ka shqiptuar mbi 30 fletë qortime për të gjithë qytetarët që ende posedojnë në automjete, targat ilegale si KM, PR, etj.
Këto targa ilegale me akronime të qyteteve të Kosovës, vazhdojnë të lëshohen nga autoritetet e Serbisë.
Vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës, në lidhje me targat ilegale të automjeteve në veri të Kosovës do të zbatohet në disa faza dhe parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS.
Periudha e qortimit për qytetarët me targa ilegale do të jetë deri më 21 nëntor e më pas do të hyjë në fuqi periudha e dytë ajo e gjobitjes.
LEXO EDHE: Ja si duket fletëqortimi që do të marrin shoferët e automjeteve me targa ilegale
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor. /Gazeta Enigma/.