Deputeti i LDK-së Anton Quni, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të bashkëpunimit me autoritetet ndërkombëtare.
Kjo sepse sipas Qunit, është e pamundur që policia ushtarake e Serbisë të bëjë çfarëdo lëvizje, pa u detektuar nga forcat ndërkombëtare.
“Është e pamundur që çfarëdo lëvizje e policisë dhe ushtarakëve të Serbisë të bëjë ndonjë lëvizje në masë aq të madhe e që të mos detektohen nga forcat ndërkombëtare të sigurisë, por përderisa Qeveria jonë është aq e rezervuar në bashkëpunimin në fushën e intelegjencës, në fushën e sigurisë prandaj edhe nuk kanë pasë informatat e duhura që po përgatitet një formacion policor ushtarak”, tha ai në Tëvë1.
Madje sipas Qunit, kjo ka ndodhur për shkak se sipas tij, është krijuar një hendek mes autoirteteve të Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it.
“Është kriju një hendek në mes të autoriteteve të Qeverisë dhe KFOR-it, është një pabesueshmëri dhe përderisa krijohen këto relacione atëherë është e pritur edhe një rezervim i autoritetetve të KFOR-it ndaj një situate që është kriju. Gjithnjë është bërë thirrje kur ka angazhim të forcave të sigursë të paralajmërohen, të bashkëkordinohen, të jenë më llogaridhënës, të ketë transparencë dhe të mos bien forcat e KFOR-it para akteve të kryera”, shtoi tutje ai.
Gjatë ditës së djeshme ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla kishte deklaruar se janë kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Kosovës nga, siç ka thënë ai, Serbia kriminale.
Ai ka thënë se zyrtarët policorë kanë qenë të vendosur brenda territorit të Kosovës dhe sipas tij, kjo përbënë shkelje të çdo marrëveshjeje kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare.