Komisioni për Shëndetësi sot ka shqyrtuar projektligjin për faljen e gjobave të vendosura gjatë pandemisë, njofton Gazeta Enigma.
Përfaqësuesi i peticionit për dërgimin e këtij projektligji në Kuvend, Nol Nushi, sot ka deklaruar se ky projektligj është dorëzuar në qershor të 2021, prandaj vonesat për shqyrtimin e tij, mund t’i dekurajojë qytetarët për të marrë nisma të tilla në të ardhmen.
Tutje ai ka deklaruar se deri tani janë 329 mijë gjoba në lidhje me COVID-19 në Kosovë, andaj kërkoi faljen e përgjithshme të qytetarëve që janë gjobitur.
“Ju lus që ta aprovoni faljen e përgjithshme të gjobave. Shumica e gjobave nuk janë paguar sepse s’ka ekzistuar kushtëzimi i pagesës së këtyre gjobave. Padrejtësia ekziston, ata që s’kanë qenë të kushtëzuar nuk e kanë paguar”, ka thënë Nushi.
Por, pozita është deklaruar kundër këtij shqyrtimit të këtij projektligji
Kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Kollqaku, ka thënë se nuk ka kuptim të falen gjobat, pasi sipas saj, kjo do të bënte që qytetarët edhe në situata të tilla në të ardhmen të mos respektonin ligjin, pasi do të shpresonin se mund të falen.
Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar me disa qytetarë të cilët janë të prekur nga ky fenomen dhe kanë komentuar qëndrimin e pozitës, ku në këtë rast nuk e përkrahin atë.
Ardita Emini qytetare nga Gjilani në një prononcim për Gazetën Enigma ka deklaruar se e përkrahë projektligjin për faljen e gjobave që janë shqiptuar gjatë pandemisë.
‘’Jam pro këtij shqyrtimi kur dihet gjendja aktuale e ekonomisë në vendin tonë, mendoj se kjo është do të ishte një tjetër ndihmë për popullin’’, ka thënë Emini për Enigmën.
Tutje ajo ka shtuar se ‘’pozita duhet të jetë më afër qytetarëve, jo të jetë kundër masave që mendohen t’ia lehtësojnë jetesën popullit’’.
Ajete Ahmeti qytetare nga Ferizaj në një përgjigje për Gazetën Enigma ka thënë falja e gjobave të pandemisë do të ishte një ndihmë shumë e madhe për të.
‘’Unë jam pro kësaj kërkese pasi unë si prind më është dashur të paguaj gjoba edhe për fëmijët e mi pasi që ata nuk janë në marrëdhënie pune’’, tha ajo për Enigmën.
Sipas saj ajo nuk është e vetmja që ka pagur dhe që ka ende për të paguar për gjobat e shqiptuara në kohën e pandemisë.
‘’Unë nuk jam e vetmja që kamë paguar për vete dhe për fëmijët e mi, njoh edhe shumë prindër të tjerë që janë detyruar të mbesin keq për vete dhe të paguajnë gjobat’’, ka potencuar Ahmeti.
Ndërsa deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, tha se arritja e këtij projektligji me kaq vonesë në komisionin parlamentar përbën shkelje ligjore.
Haxhiu kërkoi të falen gjobat e qytetarëve, pasi sipas tij janë falur edhe ato të politikanëve.
Edhe Burim Meta, deputet i Listës GUXO, tha se falja e gjobave, është motivim për qytetarët që edhe në të ardhmen të thyejnë rregullat.
“Nuk duhet të mbështeten ata qytetarë që kanë shkelur ligjet. Mendoj se është motivim për këta qytetarë, të thyejnë rregulla të tjera, në të tjera gjendje të tilla të jashtëzakonshme”, ka thënë Meta.
Ndërkaq Shemsedin Dreshaj, deputet i AAK-së, ka mbështetur po ashtu faljen e gjobave për qytetarët e gjobitur gjatë pandemisë.
Është njerëzore të gabosh, por s’është njerëzore të rrezikosh
“Duhet të mbështeten, të falen gjithë ata që janë gjobitur. Kush ka qenë në momentin e gabuar, në vendin e gabuar e ka marrë gjobën”, ka thënë ai.
/Gazeta Enigma/