Qytetarët e Shtërpcës e mirëpresin arrestimin e ish-kryetarit

Qytetarët e Shtërpcës e mirëpresin arrestimin e ish-kryetarit

Serbët e Shtërpcës lajmin për operacionin e madh policor e morën nga mediat.

E një nga ta kur e kuptoi se kush janë të arrestuarit, në mesin e të cilëve ishte edhe ish-kryetari Bratislav Nikoliq, nisi kremtën.

“Kam dëgjuar çka ka ndodhur dhe kam dalë që ta festojë arrestimin e atyre kriminelëve. Ishte koha e fundit që kriminelët të përfundojnë në burg, sepse i kanë tradhtuar interesat e serbëve në këtë vend dhe shkatërruan ekonominë. E kanë shkatërruar secilën shpresë për mbijetesën e serbëve në këtë vend”, ka thënë Radojko Keciq.

Por, jo të gjithëve u bëri përshtypje arrestimi i ish-kryetarit dhe zyrtarëve të tjerë.

“Nuk e di çka ka ndodhur, vetëm e kam marrë vesh përmes telefonit që ka ndërhyrë njësia speciale e Policisë së Kosovës dhe kam dëgjuar se është arrestuar ish-kryetari i komunës. Thuhet se bëhet fjalë për mito dhe ndërtimet në Brezovicë”, ka thënë banori tjetër i Shtërpcës Svetislav Juvkoviq.

Më afër zemrës operacionin e sotëm policor duket se e ka marrë drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili e cilësoi si përpjekje brutale për ta frikësuar popullin serb dhe se sipas tij, ky veprim ishte terror i ri i Albin Kurtit.

Me Shtërpcën e Kosovës nga Tirana u morr edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se Kurti këtë e ka bërë sot kundër “Ballkanit të Hapur”.

Related Articles