Qytetarët morën 768.9 milionë euro më shumë kredi se vitin e kaluar

Qytetarët morën 768.9 milionë euro më shumë kredi se vitin e kaluar

Qytetarët në Kosovë kanë marrë kredi në vlerë prej 5.668 miliardë euro, një rritje prej 768.9 milionë euro në krahasim me vitin e kaluar.

Kjo u bë e ditur nga Banka Qendrore e Kosovës, në një konferencë të sotme për media.

“Gjithsej, kreditë në nëntor 2024 kanë arritur shumën prej 5.668 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 768.9 milionë euro ose 15.7% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Ndërsa, depozitat vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit të kredive. Gjithsej, depozitat në nëntor të këtij viti kanë arritur në 6.586 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 448.5 milionë euro ose 7.3% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Kjo rritje i atribuohet rritjes së normave të interesit në depozita dhe konkurrencës më intensive midis bankave për tërheqjen e depozitueseve”, tha Guvernatori Ahmet Ismaili.

Ismaili tutje njoftoi se viti 2024 do të mbyllet me një rritje ekonomike prej 4.3 për qind.

Në lidhje me inflacionin, Ismaili theksoi se shkalla mesatare për këtë vit ka qenë 1.6%, një nivel që pritet të ruhet edhe gjatë vitit 2025.

“Po ashtu, remitancat, që përbëjnë një burim të rëndësishëm për ekonominë e vendit, kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor dhe pritet të përfundojnë vitin në 1.3 miliardë euro”, tha Ismaili.

Investimevet e huaja direkte kanë arritur deri në 657 milionë euro.

“Investimet e huaja direkte kanë arritur në 657 milionë euro, që tregon një rritje, dhe ne presim që kjo rritje të vazhdojë edhe në vitet 2025-2026. Eksporti i shërbimeve vazhdon me një trend pozitiv”, deklaroi tutje Ismaili.

Related Articles