Ragmi Mustafa: Asnjë shqiptar nuk do të votoj për referendumin serb

Ragmi Mustafa: Asnjë shqiptar nuk do të votoj për referendumin serb

Pas kërkesës nga shtetet e QUINT-it që të lejohet organizimi i referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës, Partia Demokratike Shqiptare në Preshevë ka kërkuar që të bojkotohet ky referendum nga shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, shkruan Gazeta “Enigma”.



Në lidhje me këtë çështje në një prononcim për Gazetën “Enigma”, është deklaruar kryetari i kësaj partie, njëherësh edhe zëvendëskryetar i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

Ai shprehet i bindur se asnjë shqiptarë nuk do të dal për të votuar referendumin e Serbisë në Kosovë.

“Ne kemi dalë me deklaratë dhe kemi ftuar qytetarët që të mos dalin, por edhe pa i ftuar, ju garantoj se asnjë shqiptarë nuk do të kishte dalë”, ka thënë Mustafa.

Tutje ai theksoi se ky referendum ka qëllim rritjen e censurës në gjyqësorin e Serbisë.

“Nuk përmirëson aspak situatën ekonomike e politike të shqiptarëve”

“Serbia para bashkësisë ndërkombëtare luan rolin e viktimës dhe më këtë autoritetet në Beograd rrahin gjoksin se ne jemi prezentë në Kosovë” u shpreh ai.

Ndërsa vendimin e krerëve kosovarë për mosmbajtjen e referendumit në Kosovë, Mustafa e ka cilësuar të duhur.

“Është qëndrim i duhur dhe njëkohësisht i rëndë për shkak të një invazioni që kanë marrë ambasadorët e shtetit të QUINT-it, por një gjë duhet kujtuar se ata janë ambasadorë, asnjë shtet i tyre, apo qeveritë, nuk janë mbledhur për të thënë se referendumi duhet të mbahet në Kosovë. Por serbët dinë të qahen para tyre”, shtoi ai, duke shtuar se Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të tregoj zotësin e saj.

“Kosova o duhet një ditë të tregojë shtetësinë dhe zotësinë që mund të menaxhojë shtetin e saj, ose ta ndajë me Serbinë, sepse në këtë situatë, Serbia është prezente në Kosovë. Kjo është Republika e Kosovës dhe ky është fundi”.

“O duhet të jetë një Kosovë e lirë, brenda së cilës futet Presheva me Bujanocin, ose të gjendet një zgjidhje, por zgjidhje le të ofrojnë Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar Mustafa.

Ndryshe, të premten, shtetet e QUINT-it kërkuan nga qeveria e Kosovës që kjo e fundit të lejojë OSBE-në të organizojë referendumin e Serbisë në territorin e Kosovës.

Kjo e fundit ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë./Gazeta “Enigma”/

Related Articles