Për herë të parë në Prishtinë, nga ky fillimvit do të vendosen kamerat e sigurisë të cilat do t’i monitorojë policia e vendit.
Kështu bëri të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Këto kamera kanë një inteligjencë të lartë artificiale, prodhim amerikano–kanadez, të cilat do të na ndihmojnë që përmes policisë, të bëjmë identifikimin e personave të cilët hedhin mbeturina, parkojnë në trotuare apo vende ku nuk lejohet”.
“Po ashtu, përmes këtij sistemi, do të identifikohen në kohë rekord personat e përfshirë në vjedhje, rrahje apo çfarëdo vepre të tillë, dhe besojmë se do të ul numrin e këtyre rasteve dhe rrisë nivelin e sigurisë në kryeqytet”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se përmes këtyre kamerave do të identifikohen menjëherë edhe personat të cilët me makina hyjnë gabim në rrugë njëkahëshe, bëjnë tejkalim në vijë të plotë ndarëse, apo udhëtojnë me veturë të paregjistruar. Kamerat do të japin sinjale në qendrën e monitorimit në polici, duke ndikuar që shkelje të tilla të ndodhin sa më pak.