Ka mbërritur në Bruksel delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për konferencën e 8 ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së. Në një deklaratë për mediat kreu i qeverisë shqiptare theksoi rëndësinë e këtij momenti për Shqipërinë.
“Është moment shumë i rëndësishëm në rrugën tonë drejt anëtarësimit dhe një moment për të cilin kemi punuar fort prej një kohe të gjatë dhe ku gjysma e punës për hapjen e negociatave do të mbyllet dhe gjysma tjetër për mbylljen do të hapet. Është shumë e rëndësishme dhe e qartë që ka nevojë të diskutohet dhe nuk është një bashkim i gënjeshtërt, por i vërtetë dhe për të qenë anëtar me të drejta të plota”, tha kryeministri shqiptar.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Shqipëria si një nga vendet më pro-europiane, është e gatshme për të vijuar më tej, pasi siç theksoi ai nuk ka të bëjë me një anëtarësim të lehtë.
“Nuk ka të bëjë me një anëtarësim të lehtë, por me një union real politik dhe me një rrugëtim të anëtarësimit me të drejta të plota dhe bashkë me reformat e nevojshme. Shqipëria ka qenë 100 % në përputhje me politikën e jashtme të BE. Shqipëria është gjithmonë e gatshme për të vijuar më tej pa pasur asnjë imagjinatë të kënaqësisë momentale dhe duhet të theksojmë që sipas barometrit, Shqipëria është një ndër vendet më pro-europiane”, tha kryeministri.
Konferenca e 8 ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE shërben për të konfirmuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria dhe për të vendosur kushtet përmbyllëse për Grupin 1,Themeloret, e cila përfshin kapitujt për gjyqësorin dhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike dhe kriteret ekonomike. Ky grupkapitull përfshin gjithashtu prokurimin publik, statistikat dhe kontrollin financiar.
