Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë e kanë shkruar ekspertë të nivelit të lartë.
Ai tha se nuk është konsultuar me askënd nga qeveria e Kosovës për këtë dokument të cilin thotë se e ka dërguar te tre persona: te kancelari gjerman Scholz, presidenti francez Macron dhe te presidenti i KiE-së, Michel.
“Draft statuti nuk është konsultuar me asnjë sepse nuk ka pse të konsultohet. Unë nuk kam bërë studion ligjore të qeverisë së Kosovës. Ajo e ka ekspertët e vet, mundësitë e veta, mund ta kishte bërë me kohë dhe duhet ta kishte bërë me kohë, dhe jo vetëm që duhet ta kishte bërë me kohë, por duhet t’i rrinte te dera gjatë gjithë kohës partnerëve dhe aleatëve dhe t’u thoshte, mendojmë kështu, mendojmë ashtu, sepse është në interesin tonë. Pashë, më treguan që Glauku kishte thënë se ka autonomi… nuk e di për çka e ka fjalën, sepse ne nuk folëm fare për draft të Asociacionit. Në dokumentin që ata se kanë lexuar! Këta s’e kanë lexuar! Ku e dinë këta? Apo më shohin mua në portret dhe më lexojnë si në filxhan? Drafti që unë kam përgatitur, është përgatitur nga ekspertë të nivelit më të lartë, dhe unë ia kam dërguar tre personave: kancelarit Scholz, presidentit Macron dhe presidentit Michel”, deklaroi Rama.
Ai tutje tha se dokumentin në fjalë nuk ia ka kërkuar askush, por se e ka bërë me vetëiniciativë, dhe thotë se sipas mendimit të tij, është gjëja më e mirë e mundshme.
“Nuk ma ka kërkuar askush, e kam bërë vet, dhe është një kontribut që unë mendoj se është gjëja më e mirë nga aq sa kam lexuar e dëgjuar e sa kam parë nga të tjerët, mund të ketë edhe më të mira. Por, se si mund të thuhet se pse e bën draft-asociacionin, ç’i duhet atij, ç’punë ka ai… Nuk është dashur fare të konsultohet (qeveria e Kosovës) sepse ai është një draft për një marrëveshje mes dy palësh”, theksoi kryeministri shqiptar në Rubikon të Klan Kosovës.
Tutje, ai tha se me Qeverinë e Kosovës mund të hartojnë një draft për Shqipërinë e Madhe, “por nuk i duhet dreqit”.
“Dhe hajt se po konsultohemi, bëjmë një draft, marrim dhe Çamërinë, Prevezën, shkojmë deri në Qipro, marrim dhe Egjiptin sepse Mehmet Aliun e kemi pasur shqiptar. Këto janë gjëra mund t’i bëjmë me njëri-tjetrin e të kënaqemi, por problemi është për të bërë një marrëveshje mes dy palëve dhe në këtë aspekt unë kam dhënë një kontribut. (Kurti po thotë se po ma dobëson pozicionin, i thotë Adriatik Kelmendi) …Se kështu po forcohet pozicioni, duke u izoluar nga e tërë bota. Mund dhe të forcohet, nuk e di. Di të them këtë që, mos harroni një gjë sepse shumë shpesh e harrojnë: e shikoni Shqipërinë, ne vërtet jemi dy vëllezër nga të njëjtit prindër, por jemi secili në shtëpinë e vet. Dhe unë nuk e di që një vëlla tek shtëpia ku është me gru e me fëmijë i hyn sherrit me ndonjë komshi, vëllai tjetër shkon dhe i fut flakën gjithë lagjes! Aq më tepër kur ne jemi në një lagje që duam dhe duan edhe të tjerët ta integrojnë të gjithën në Evropë. Dhe mos harroni se Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe funksionin brenda një komuniteti sigurie. Shqipëria duhet të luajë edhe rolin e vet”, u shpreh kryeministri Edi Rama në Rubikon me Adriatik Kelmendin.