Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar si lojë të ulët të ish-kryeministrit Sali Berisha, kërkesën për të votuar rezolutën që njeh gjenocidin e kryer nga Serbia në Srebrenicë.
Rama ka thënë se ata që reaguan për dështimin e kësaj rezolute në Parlamentin e Shqipërisë, nuk ia kanë idenë për lojën që ka bërë personi i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion dhe minim të demokracisë.
“Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç’ne kjo rezolutë sot,pse,me ç’rast? Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s’ishte rezolutë po lojë e ulët! Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik”, ka shkruar Rama në Twitter.
Ai ka shtuar se ndien keqardhje për ata që ndihen gabimisht të lënduar pasi, sipas tij, nuk e kanë idenë se kjo kërkesë ishte një lojë.
Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!— Edi Rama (@ediramaal) May 12, 2022
Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e deputetit Tritan Shehu për të votuar rezolutën që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës.
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se njohja e gjenocidit në Srebrenicë është një akt i domosdoshëm për kombet dhe shoqëritë e civilizuara dhe se është kusht themelor që të mos përsëritet.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se kur Sali Berisha ishte president, ka lejuar furnizimin me naftë të ushtrisë jugosllave gjatë masakrës në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës.