Trajneri i SC Gjilanit, Zekirija Ramadani ka folur në konferencë për media së bashku me mesfushorin Albert Dabiqaj para ndeshjes kualifikuese në rundin e parë në Ligën e Konferencës ndaj FK Liepajës.
Trajneri shkupjan ka deklaruar se takimi ndaj Liepajës do të jetë me vlera. Ai e ka cilësuar kundërshtarin si një ekip të fortë dhe me eksperiencë.
Ramadani ka bërë të qartë se qëllimi i tyre është kalimi në rundin tutje.
“Do të jetë ndeshje me shumë vlera dhe mendoj se kemi pasur kohën e duhur. Liepaja është ekip me eksperiencë, por ne kemi pikat tona të forta dhe nëse arrijmë ta imponojmë lojën tonë e jo të kundërshtarit, do të marrim rezultat pozitiv. Nëse nuk marrim rezultat të mirë, nuk do të thotë se përfundon, por uroj të fitojmë ne. Nuk na intereson loja e mirë, por na intereson kalimi i raundit. Objektivi është kalimi tutje”, ka deklaruar ai.
Kurse mesfushori Albert Dabiqaj ka deklaruar se synojnë kualifikimin përmes lojës së bukur.
“Do të mundohemi që nëpërmjet lojës së bukur të arrijmë kualifikimi tutje. Jemi gati të japim më të mirën. Nuk po mendojmë për sezonin e ri, por po mendojmë për ndeshjen ndaj Liepajës. Atmosfera është e jashtëzakonshme”, ka deklaruar mesfushori i Gjilanit.
Kujtojmë që SC Gjilani – FK Liepaja, luhet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.