Ramadani në kërkim të trofeut të tetë në Kosovë

Ramadani në kërkim të trofeut të tetë në Kosovë

Shtatë trofe për gjashtë vjet punë. Ky është “bilanci” i trajnerit Zekirija Ramadani në futbollin kosovar. Shtatë trofetë i ka fituar me tri klube të ndryshme – Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën. Trajneri shkupjan synon trofeun e tetë në futbollin kosovar, ku po vazhdon të bëjë karrierë të suksesshme. Ai synon ta fitoj Kupën e Kosovës me Gjilanin, klubin e katërt të tij në Kosovë.

Gjilani është në finale të Kupës. Do të përballet me Prishtinën.

Gjilani për herë të fundit në finale ishte në vitin e largët 2002. Triumfi në Kupë do të thoshte shumë për Gjilanin. Se sa i rëndësishëm është triumfi në Kupë për qytetin e Gjilanit e thotë trajneri Ramadani.

“Nëse arrijmë të fitojmë Kupën, për mua do të ishte sikur ta fitoja titullin e kampionit”, ka thënë Ramadani të enjten për KOHËN.

Ai e di se ende asgjë nuk ka përfunduar. Arritja në finale është tjetër. Fitimi i finales vlen vërtet.

“Është një arritje mjaft e madhe deri më tani. Duke ditur telashet që kemi pasur gjatë këtij edicioni jemi të kënaqur deri më tani, por akoma asgjë nuk ka përfunduar”, ka thënë Ramadani.

Ai në krye të Gjilanit erdhi më 7 qershor të vitit të kaluar. Me Gjilanin ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi.

Në fakt, Ramadani në fund të dhjetorit u përshëndet me Gjilanin. Pati thënë se organi më i lartë i futbollit, FIFA, ia kishte shkëputur kontratën me klubin.

“Deri më 9 janar nuk e dinim se do të kthehemi, por pas kthimit të presidentit, atëherë vendosa që edhe unë të kthehem nëse nuk largohen futbollistët. Presidenti pagoi një pjesë të borxhit dhe të gjithë kemi bërë sakrificë për të shpëtuar klubin. Jam krenar me veten, por edhe me futbollistët që vendosem të vazhdojmë së bashku. Lus Zotin që gjithë sakrifica që kemi bërë në fund të na shpërblehet me triumfin në Kupë, që do të ishte sikur të kemi fituar kampionatin”, është shprehur Ramadani.

Ramadani punën si trajner në Kosovë e nisi në vitin 2017. Fillimisht udhëhoqi drejt titullit Trepçën ’89. Me klubin nga Mitrovica fitoi edhe Superkupën. Pas suksesit të arritur në Mitrovicë, Ramadanit iu besua një projekt tjetër. Kësaj radhe nga klubi i Drenasit, Feronikeli, tashmë i shuar.

Me Feronikelin fitoi titullin e kampionit, Kupën dhe Superkupën e Kosovës.

Ramadani në vitin 2018 mori drejtimin e Shkupit. Por qëndroi shkurt për t’u kthyer sërish te Feronikeli. Në edicionin 2020/2021 drejtoi Prishtinën drejt titullit. Me ekipin bardhekaltër fitoi edhe Superkupën.

“Punëtorët e sinqertë Zoti nuk i lë pa i shpërblyer”, ka thënë Ramadani, që është prej trajnerëve më të suksesshëm në Kosovë.

Ramadani është krenar që është pjesë e kampionatit të Kosovës, ndonëse kishte dyshimet e tij në fillim.

“Periudha e punës në Kosovë për mua është shumë e mirë dhe e suksesshme. Ndoshta herën e parë kur erdha te Trepça ’89 isha pak skeptik për kampionatin kosovar. Por shumë shpejt u ambientova dhe prej atij momenti ndihem krenar që jam pjesë e këtij kampionati”, ka thënë Ramadani.

Related Articles