I pari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka mirëpritur veprimet e ndërmarra nga Prokuroria e Pejës lidhur me rastin e helmimit të mbi 1,500 qytetarëve të kësaj komune na uji i pijes, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se Komuna e Deçanit insiston që të ketë në menaxhim dhe të administroj me ujin e pijes në të gjithë territorin e kësaj komune.
“Edhe njëherë, me të drejtë ritheksojmë se: Komuna e Deçanit insiston që të ketë në menaxhim dhe të administroj me ujin e pijes në të gjithë territorin e komunës së Deçanit”, tha Ramosaj.
Kujtojmë se të hënën, Prokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Dorjan Juniku bëri të ditur se është ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini” lidhur me helmimin e qytetarëve të Deçanit, që ndodhi në verën e vitit të kaluar.
“Ju njoftoj se pas një hetimi intensiv disa mujor në çështjen penale që ka të bëjë me helmimet e mbi 1,500 qytetarëve të Deçanit dhe fshatrave përreth, sot më datën 7 shkurt 2022, kam ngritur aktakuzën kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës të kompanisë rajonale “Hidrodrini”, kundër drejtorit të departamentit teknik për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe kundër kimistes së kësaj kompanie për veprën penale “Mos evitim të rrezikut të përgjithshëm” ka thënë Juniku.
Postimi i plotë i Ramosajt:
Komuna e Deçanit mirëpret veprimet e ndërmarra nga prokuroria themelore në Pejë, e cila sot, në konferncën për media, informoj që ka përfunduar hetimet, që kanë të bëjnë me rastin e helmimit të 1500 qytetarëve të komunës së Deçanit nga uji i pijes gjatë muajit korrik 2021.
Duke shpresuar që ky rast të merr trajtimin e duhur deri në përfundim të procedurave sipas ligjeve në fuqi.
Edhe njëherë, me të drejtë ritheksojmë se: Komuna e Deçanit insiston që të ketë në menaxhim dhe të administroj me ujin e pijes në të gjithë territorin e komunës së Deçanit!