Ralf Rangnick është prezantuar si trajner i ri i gjigantit anglez Manchester United.
Trajneri gjerman ka nënshkruar një kontratë për gjashtë muaj e gjysmë, ku do të jetë te Djajtë e Kuq deri në fund të sezonit.
Ai tanimë është prezantuar ku ka folur për shumë gjëra, por fillimisht për ofertën që nuk mundi ta refuzojë.
“Nëse një klub si Manchester United ju kontakton për një rol të tillë, ju nuk mund ta refuzoni atë. Është një nga klubet më të mëdha, nëse jo klubi më i madh në botë, është një sfidë e madhe, por jam më se i lumtur që punoj me këtë grup lojtarësh”, tha fillimisht Rangnick.
63-vjeçari ka folur për objektivat e klubit, por ka kritikuar edhe repartin defensivë pasi sipas tij ekipi pranon shumë gola.
“Objektivi kryesor për mua është vetëm të sjell më shumë ekuilibër në skuadër. Ne pësuam dy gola dje dhe nëse shikoni numrin total të golave të pësuar, është mesatarisht dy gola në ndeshje. Kjo është thjesht shumë.Ne kurrë nuk kemi folur për atë që do të ndodhë në verë. Tani për tani jam plotësisht i vetëdijshëm se ata mund të kërkojnë një trajner të ri. Megjithatë, kjo është e gjitha hipotetike. Ne nuk mund të flasim për këtë gjë. Për mua tani, fokusi kryesor është të fitojmë ndeshjet e ardhshme”, vazhdoi Rangnick.
Tutje ish-trajneri i RB Salzburg, Schalke 04, Hoffenheim e RB Leipzig ka folur edhe për ekipin dhe yllin e tyre kryesor, Cristiano Ronaldon.
“Gjithmonë duhet të përshtatni stilin dhe mënyrën tuaj të lojës me lojtarët që keni në dispozicion, jo anasjelltas, dhe pasi e keni parë Cristiano dje në pjesën e dytë në moshën 36-vjeçare, i mrekullueshëm, një profesionist i lartë. Në moshën e tij, nuk kam parë kurrë një lojtar që është ende aq i përgatitur fizikisht dhe ai është një lojtar që ende mund të bëjë diferencën lehtësisht. Ka të bëjë me atë se si mund ta zhvillojmë të gjithë ekipin, jo vetëm Cristianon”, vazhdoi tutje Rangnick.
Trajneri gjerman foli edhe për Erling Haalandin, që është objektivi kryesor i Djajve të Kuq, me Rangnick që e kishte transferuar atë në Salzburg nga Molde dhe e njeh mjaftë mirë.
“Erling Haaland është një sulmues fantastik. Unë e njoh më së miri atë sepse isha së bashku me njerëzit në RB Salzburg në atë kohë. Isha gjithashtu pak i përfshirë me kalimin e Haaland nga Molde në Salzburg, prandaj e di se çfarë lojtari është ai, por ndërkohë, e gjithë bota e ka kuptuar se sa i mirë është lojtari. Dy vjet më parë, ishin vetëm pak njerëz që i besuan”, përfundoi Ralf Ragnick. /Gazeta Enigma/.