Pikët janë tepër të rëndësishme në këtë fazë të sezonit dhe nëse ekipi i mungojnë atëherë është trajneri ai që paguan faturën e momentit të vështirë. Kështu ka ndodhur edhe me Marco Giampaolon, të cilit humbja 0-3 përballë Monzës i ka kushtuar stolin e Sampdorias.
Ekipi xhenovez renditet në vend të fundit në Serie A, me vetëm dy pikë të grumbulluara në tetë javë kampionat. Disfata e thellë shtëpiake e së dielës, ka zemëruar drejtuesit e klubit dorian, të cilët kanë vendosur të ndahen me 55-vjeçarin.
Aventura e dytë e ish-trajnerit të Milanit në pankinën e Sampdorias, zgjati vetëm shtatë muaj e gjysmë. Në skenë kanë dalë dy emra për ta zëvendësuar: Claudio Ranieri dhe Roberto D’Aversa.
I pari është një emër i madh dhe pëlqehet shumë nga drejtuesit e klubit, kjo si pasojë e eksperiencës së madhe që zotëron, ndërkohë që ka drejtuar Sampdorian në periudhën tetor 2019-qershor 2021.