Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras ka deklaruar se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës janë shumë të padrejta dhe duhet të hiqen.
Në një intervistë për emisionin Info Magazine të Klan Kosovës ai mes tjerash theksoi se ato janë edhe të njëanshme.
“Ne e kemi përmendur disa herë dhe po përpiqem ta mbaj presionin për heqjen e këtyre masave. Në njërën anë ne duam që Kosova të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian e në anën tjetër po e ndalim këtë përkrahje ndaj strukturave në Kosovë dhe kjo nuk është e mirë. Andaj në vërtetë kemi nevojë të punojmë për këtë”.
Terras konsideron se Kosova nuk është fajtore për mosheqjen e masave por sipas tij, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas duhet të bëjë presion tek vendet anëtare për largimin e tyre.
“Edhe ky është proces, për të cilin nëse nuk bëjmë gjë, ato nuk do të hiqen. Duhet të sigurohemi që së pari përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas ta kuptojë dhe t’u bëjë presion mirëpo problemi me këtë është se Këshilli duhet të veprojë unanimisht dhe ata kanë disa probleme të cilat s’kanë të bëjnë fare me Kosovën por disa shtete anëtare thjesht nuk kanë vullnet bashkëpunimi, duhet një proces i gjatë për t’i bindur, duhet të punojë së bashku me ambasadorin Sorensen për këtë”.
“Ne sapo e kemi nisur këtë dhe nuk jam gati të flas për të tani. E dimë se masat ekzistojnë, e dimë se kjo është e padrejtë ndaj Kosovës dhe duhet të punojmë edhe me Këshillin edhe Komisionin dhe vendet respektive për heqjen e tyre”, tha ai.