Kosova të premten më 17 shkurt shënon 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Me këtë rast ka folur ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Ai tha se pavarësia dhe rrethanat e krijuara politike kanë ndikuar në jetën e serbëve.
Sipas tij shumë serbë kanë dy shtetësi, edhe të Kosovës dhe Serbisë.
“Ne kemi qenë gjithmonë serbë dhe nuk ka dyshim se kush është nëna jonë, por nëse tashmë jemi të birësuar, atëherë duhet ta duam edhe njerkën edhe nënën tone”, tha Rashiq.
Rashiq në një intervistë për BBC-në në gjuhën serbe foli për kujtimet e 17 shkurtit 2008.
Politikani serb vuri në dukje braktisjen e institucioneve në atë kohë.
“Gjatë atyre dy muajve vazhdimisht kemi insistuar që të arrihet një marrëveshje, por ka ndodhur që deklarimi i Kosovës me vendosmërinë e shqiptarëve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë të bëhet sa më shpejt. Si përgjigje ndaj kësaj, ne bojkotuam punën e institucioneve, që ishte reflektim i pakënaqësisë sonë sepse nuk u arrit asnjë kompromis”, theksoi ai.
Nenad Rashiq, tha se Kosova në vitet e ardhshme do të mund të kishte njërin nga tre postet kryesore.
“Të jem i sinqertë, nuk është se nuk e kam menduar kurrë se mund të ndodhë. Ndoshta kryeministri nuk është i mundur, sepse ai është njeriu i parë i pushtetit ekzekutiv, por nëse serbët e Kosovës krijojnë një subjekt politik që do të thotë të jenë të moderuar për të mbijetuar, unë vërtet besoj se ata mund të kenë një nga tre postet më të larta, postin e presidentit ose kryetarin e Parlamentit”, shtoi ministri për Komunitete dhe Kthim