Rastet e rënda të vrasjeve të grave që tronditën Kosovën

Rastet e rënda të vrasjeve të grave që tronditën Kosovën

Lirije Qerimaj, Sadije Godeni, Hamide Magashi dhe Saime Avdyli janë emrat e grave, jeta e të cilave u shua gjatë vitit që lamë pas. Lirija e Sadija u vranë nga bashkëshortët e tyre, Hamidja bashkë me foshnjën e saj u vranë nga ish-burri i saj, ndërsa Saimja vdiq pas goditjeve të forta nga kunata e saj.

Policia e Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se gjatë periudhës janar- nëntor tri gra janë vrarë, mirëpo kujtojmë që disa ditë para përfundimit të vitit, Saime Avdyli, u vra nga kunata e saj në Dragash, duke u bërë viktima e katërt.

Lirije Qerimaj që u vra nga burri i saj në janar

48-vjeçarja, Lirije Qerimaj, më 5 janar të vitit 2022, u vra nga bashkëshorti i saj në shtëpinë e tyre në fshatin Llaushë të Skënderajt. Ajo vdiq rrugës për në spitalin e Mitrovicës, pasi burri i saj gjuajti gjashtë herë në drejtim të saj, ku dëshmitarë ishin edhe dy nga tre fëmijët e çiftit.

Vrasja u krye me armë zjarri, të cilën dorasi e dorëzoi në ditën tragjike kur u dorëzua edhe vetë në Polici, duke pranuar vrasjen.

E ndjera kishte kërkuar mbrojtje nga shteti për shkak të dhunë së vazhdueshme që bashkëshorti ushtroi mbi të, mirëpo kërkesa për mbrojtjen u dorëzua në ditën kur ajo u vra.

Në shtator, Gjykata në Mitrovicë e dënoi të akuzuarin me 24 vjet burgim dhe 500 euro gjobë për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Sadije Godeni që u vra me sëpatë në nëntor nga bashkëshorti i saj

Një vrasje tjetër që tronditi vendin ndodhi në mëngjesin e 25 nëntorit.

Izet Godeni dyshohet se vrau me sëpatë gruan e tij, Sadije Godenin në shtëpinë e tyre në rrugën “Mark Isaku”, në Prishtinë.

I dyshuari u vetëdorëzua në Polici rreth orës 04:40 në ditën tragjike, derisa më 26 nëntor ai u dërgua në paraburgim për 30 ditë.

Express ka tentuar të marrë një përgjigje se a i është vazhduar paraburgimi të njëjtit, mirëpo nga Gjykata nuk kanë kthyer përgjigje.

Sanije Godeni, viktima dhe Izet Godeni, i dyshuari

Hamide Magashi, shtatzëna që u vra me armë nga ish-burri

Pak ditë para se të sillte një fëmijë në jetë, Hamide Magashit, iu shua jeta pas të shtënave me armë zjarri që u shkrepën nga ish burri i saj, Sokol Halili.

25-vjeçara u vra në oborrin e QKUK-së, më saktësisht para Klinikës së Gjinekologjisë.

I dyshuari për vrasjen e të ndjerës, pas tri ditësh në arrati, e vrau vetën në shtëpinë e tij në fshatin Davidovc të Shtimes, pasi policia e kishte lokalizuar vendndodhjen e tij.

Ndaj 35-vjeçares shtatzënë ka pasur urdhër-mbrojtje nga Gjykata në Ferizaj.

Hamide Magashi

Saime Avdyli që u vra nga kunata e saj

Më 26 dhjetor, Saime Avdyli, dyshohet se u vra nga kunata e saj, pasi u godit me mjete të forta disa herë në pjesë të ndryshme të trupit.

E dyshuara tashmë ndodhet në paraburgim, ndërsa një aktakuzë rëndonte mbi të dhe djalin e saj për “Dhunë në familje”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit N.A dhe J.A., në bashkëveprim me njëri-tjetrin, kryejnë dhunë psiqike, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare- të dëmtuarës/kunatës dhe hallës S.D. 

Related Articles