Të mërkurën pas një aksioni në kuadër të rastit të njohur si “Brezovica”, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se janë arrestuar kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica”, S.I. dhe doganieri N.G, raporton Gazeta “Enigma”.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica ” ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë (7) lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy (2) persona të dyshuar.”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, të njëjtit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)-së.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.”, përfundon komunikata e Prokurorisë Themelore në Ferizaj. / Gazeta Enigma.