Janë publikuar detaje të reja lidhur me vdekjen e 15-vjeçarit në Ferizaj, i cili u rrëzua pa ndjenja në sallën e edukatës fizike.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli bazuar në raportin e mjekut kujdestar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, i mituri ka arritur pa shenja jete.
“Sipas mjekut kujdestar, viktima në Qendrën Emergjente në Ferizaj ka arritur pa shenja jete. Për këtë, ai ka lëshuar raport me shkrim, në të cilin konstatohet se viktima kishte pësuar arrest kardiak dhe është rekomanduar që trupi të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë”, tha Veseli.
Ai tha se lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore.
“Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti ‘Hetim mbi vdekjen’, ndërsa trupi i pajetë është urdhëruar të dërgohet për autopsi në Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, bëhet e ditur më tej.
Autoritetet kanë theksuar se hetimet janë në vazhdim për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
