“Prokuroria të përgatitet për arrestime”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, avokati Tomë Gashi, i cili ka mbrojtur famijen Dehari në rastin kur djali i tyre Astriti vdiq në një nga dhomat e burgut të Dubravës, para pesë vitesh.
“Nesër bëhen 5 vite nga vrasja e Astrit Deharit”, vazhdon më tej shrimin Gashi, pa shpjeguar asgjë më shumë.
“Nesër bëhen 5 vite nga shtytja në vrasje të Astrit Deharit”.
“Nesër bëhen 5 vite që urdhërdhënësit e vrasjes së Astrit Deharit qëllimisht nuk janë identifikuar nga Prokuroria”.
“Nesër bëhen 5 vite nga tentimi i fshehjes së vrasjes së Astrit Deharit”, janë fjalitë e shkurtëra të Gashit në facebook.
“Nesër bëhen 5 vite nga vrasja e aktivistit të Lëvizja Vetëvendosje, Astrit Dehari, nga i cili tentuan që të marrin deklarata vetë fajësuese në tentim për ta inkriminuar Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje”, përfundon shkrimin avokati Gashi.
Historia e Astritit, nga arrestimi për terrorizëm deri te vdekja
Astrit Dehari ishte arrestuar bashkë me 5 aktivistë të Vetëvendosjes, si i dyshuar për sulm terrorist në Kuvendin e Kosovës.
Ishte mesnata e pesë gushit të vitit 2016. Në ato momente një motor, në të cilin besohet se ishin dy persona, u ndal pranë Kuvendit të Kosovës.
Njëri nga ta, nxori një raketahedhës dore, dhe me të godit ndërtesën e Parlamentit.
Menjëherë, forca të mëdha të strukturave të sigurisë dolën në skenën e krimit, ndërsa gjithë kjo ngjarje u cilësua si akt terrorist.
Motori që u përdor gjatë kryerjes së këtij sulmi pak qaste më vonë, u gjet i djegur afër pishinës së Gërmisë.
Ndërsa nën direktivat e Prokurorisë Speciale, drejtoria antiterror e policisë nisi hetimet për të zbardhur këtë rast.
Hetimet e para i quan zyrtarët policor në drejtim të disa aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që atë kohë kundërshtonte ashpër demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
25 ditë pas sulmit mbi Kuvendin, Drejtoria kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, të asistuar edhe nga njësitet elite organizuan një operacion për kapjen e të dyshuarve.
Ky operacion i organeve të sigurisë, qoj në arrestimin e 6 aktivistëve të Vetëvendosjes.
Në pranga përfunduan Frashër Krasniqi, Petrit Ademi, Adea Batush, Atdhe Arifi e Egzon Haliti.
Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Astrit Dehari, çështja e të cilit do të shndërrohej në një nga rastet më enigmatike që kanë ndodhur ndonjëherë në Kosovë.
Të gjithë të arrestuarit me vendim gjykate përfunduan në paraburgim, me përjashtim të Petrit Ademit, çështja e të cilit u mbyll ndërkohë, pasi që nuk kishte prova se ishte i implikuar në këtë rast.
Prokuroria po vazhdonte hetimet, ndërsa të dyshuarit po qëndronin nën masën e paraburgimit në qendra të ndryshme.
Astrit Dehari ishte dërguar në qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Ai qëndroi aty deri me 5 nëntor të viti 2016.
Gjatë kësaj kohe, Astrit Dehari gjithçka nga përditshmëria i shkruante në ditarin e tij.
Ditën e kishte nisur edhe me pesë nëntor të atij viti.
Bashkë me të paraburgosurit e tjerë, kishte dal nga qelia në shëtitjen e mëngjesit.
Pas një ore ai ishte kthyer, deri sa ndërroj disa llafe me të paraburgosur të tjerë para se të hynte në qeli.
Por, kur erdhi koha për shëtitje në drekë, Astrit Dehari, kishte vendosur të mos dilte nga aty.
Qelia e tij, u kyç nën masat e parapara të sigurisë nga gardiani i kësaj qendre.
E këtu ishin edhe momentet e fundit të jetës së tij.
Saktësisht në orën 15:53 minuta shokët e qelisë së Astrit Deharit u kthyen nga koha e lirë.
Kur e hapen derën ata e gjetën Deharin në momentet e fundit të jetës së tij me një shishe mjalti në gojë.
U alarmuan edhe mjekët.
E shpejtë në gjendje të rëndë, u nis për tu dërguar në emergjencë.
Pak më vonë doli konstatimi që tashmë aktivisti i Vetëvendosjes, kishte ndërruar jetë.
E që nga ky moment nisi edhe një prej historive më të mistershme që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.
Të dhënat e para nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, dolën se Astrit Dehari kishte bërë vetëvrasje duke përdorur sasi të madhe medikamentesh.
E më pas, trupi i tij u dërgua për t’ju kryer autopsia në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Ditën kur u krye autopsia nuk u dhanë shumë detaje, vetëm se u tha se Astrit Dehari kishte vdekur nga asfiksia.
Këtë gjë e pati thënë ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha.
Pak ditë më pas raporti i autopsisë ishte finalizuar, ndërsa Sylë Hoxha doli sërish në konferencë.
Kësaj radhe kishte ardhur konstatimi se Astrit Dehari, kishte kryer vetëvrasje.
“Vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike, mbyllja e arterieve të frymë marrjes si pasojë e dëmtimeve të vetëshkaktuara”, kishte deklaruar kryeprokurori Hoxha.
Por, me këtë gjë asnjëherë nuk ishin pajtuar familja e Astrit Deharit.
Prindërit e tij, në vazhdimësi kanë kërkuar që për këtë rast të ketë një hetim dhe ekspertizë të pavarur ndërkombëtare.
Insistimit të vazhdueshëm për të zbardhur këtë ngjarje të mistershme, nuk mundi ti rezistoj as Qeveria e Kosovës.
Me kërkesë të ministrisë së drejtësisë, ekzekutivi kishte ndarë 50 mijë euro për të bërë një ekspertizë të pavarur për këtë rast.
Familja kishte përzgjedhur Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.
Ndërsa i gjithë materiali prej mija faqesh i ishte dërguar këtij instituti në maj të viti 2018.
E pas më shumë se një viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë, ka përfunduar raportin e ekspertizës.
Aty është kontestuar fuqishëm mundësia e vetëvrasjes, ndërsa është sugjeruar që të kihet parasysh intervenimi i një personi të tretë në vdekjen e Astrit Deharit.
Tani misterin e këtij rasti, duket se mund ta zbardh vetëm një hetim i ri.
/Gazeta Enigma/