Prova kryesore e vrasjes së Donjeta Pajazitajt, është dërguar për ekzaminim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.
Nikçi, tha se prova është dërguar përmes Ambasadës amerikane, dhe pas pranimit të raportit do të kryejnë veprimet ligjore për gjetjet e tij.
“Kjo provë është dërguar më herët në shtetin e Turqisë, mirëpo nuk kemi pranuar rezultate të detajuara, me ç’rast është dashur të dërgohet në SHBA. Ne jemi optimistë se do të ketë të gjetura”, tha Nikçi.
Lidhur me rastin e vrasjes në vitin 2015-të, i dyshuari i vetëm, kushëriri i viktimës, Naser Pajazitaj, ishte dënuar me burgim të përjetshëm në korrik të 2019.
Dënimi ishte ulur nga Gjykata e Apelit, në 35 vjet burgim.
Ndërkaq, në muajin prill, Gjykata Supreme e kishte liruar nga akuzat për vrasje Naser Pajazitajn.
Sipas aktakuzës së vitit 2017, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalur me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar tek vendi “Kroi i Lajthisë”.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri me dy plumba në kokë e kishte vrarë e më pastaj për të humbur gjurmët e tashmë së ndjerës, të njëjtën e kishte mbuluar me drunj dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Por, për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave në vitin 2018 e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim, që rezultoi me dënim me burgim të përjetshëm për Pajazitajn.
Naser Pajazitaj, ka kërkuar 1 milion e 150 mijë euro dëmshpërblim nga shteti, për dëmin që pretendon se iu shkaktua gjatë kohës kur përballej me këto akuza.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që ta dëmshpërblejë Naser Pajazitajn me 61 mijë e 777 euro e 16 centë.
Mirëpo, Pajazitaj e ka refuzuar këtë shumë duke këmbëngulur në shumën e kërkuar.