Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani, që t’i shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores së rastit të gruas nga Llausha e Skenderajt e cila u vra nga bashkëshorti i sa.
Përmes një komunikate për media nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, thuhet se do të ndërmerren masat e nevojshme ndaj prokurores, varësisht prej të gjeturave.
“Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, si autoritet kompetent, që të shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores lidhur me rastin e viktimës L.Q nga Llausha e Skenderajt dhe nga të gjeturat eventuale t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, Lumezi ka kërkuar edhe nga Menaxheri i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave që të shqyrtojë veprimet e mbrojtësit të viktimave, lidhur me rastin në fjalë.
“Kryeprokurori Lumezi ka kërkuar nga Menaxheri i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave që të shqyrtojë të gjitha veprimet e mbrojtësit të viktimave lidhur me këtë rast dhe nga të gjeturat eventuale të ndërmerren edhe veprimet e nevojshme”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tw enjten ka reaguar ndaj prokurores kujdestare dhe mbrojtëses së viktimave në rastin e gruas në Llaushë që u vra nga burri i saj.
Haxhiu tha se mbrojtësja e viktimave paska kërkuar dërgim me email të lëndës në vend se të shkonte tek viktima sa ishte në polici.
Ajo shtoi se dy gra që është dashur të veprojnë për të mbrojtur jetën e viktimës, asnjëra nuk i ka kryer detyrat, e që sipas kësaj, kërkon që duhet të merren masa urgjente.
“Sipas informatave zyrtare, prokurorja kujdestare ka kërkuar që rasti të kualifikohet si “Dhunë në Familje” por edhe përkundër kësaj kishte kërkuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt pra që dhunesi të mbetet i lirë! Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme që të mos ketë tolerancë ndaj rasteve të dhunës në familje pra që dhunuesit të shkojnë prapa grilave, sërish neglizhohen këto raste të ndjeshme.