Rasti në Leposaviq, Policia thotë se dy të dyshuarit janë të implikuar në veprimtari kriminale

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e ndodhur sot në Bistricë të Leposaviqit, ku janë rrezikuar zyrtarët policor gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore.



Sipas njoftimit, Policia e Kosovës ka ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore dhe ka identifikuar dy persona të dyshuar, verifikimet e të cilëve kanë rezultuar me përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale.

Personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast sipas të dhënave rezultojnë të jenë persona me të kaluar kriminale dhe të përfshirë në dhjetëra vepra penale.

“1. I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje”, vijon njoftimi i Policisë.

Po ashtu, edhe i dyshuari i tjetër është i implikuar në 17 vepra penale.

“2. I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (M.D. 1985), dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova etj, etj. I njëjti ka kryer edhe (3) kundërvajtje”.

Policia e Kosovës tha se në Bistricë të Leposaviqit ka shtënë me armë zjarri drejt një veture, pasi ajo nuk është ndalur për kontroll.

Sipas një njoftimi për media të Policisë së Kosovës, vetura gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës, duke “rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”.

Incidenti ndodhi pasi Policia e Kosovës kishte vendosur një pikë kontrolli për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike, por edhe për të parandaluar krimin dhe kontrabandën.

Autoritetet e rendit thanë se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkaq përveç hetimeve për rastin, PK ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor për procedura të mëtejme.

Related Articles