Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në mbrëmje në familjen Shala në Pejë, ku një 60-vjeçar u gjet i shtrirë dhe pa shenja jete në shtëpinë e tij. Ky rast ka tronditur familjen e të ndjerit, sidomos vëllain e tij, i cili kërkoi ndihmën e Policisë, pasi që nga dita e djeshme s’kishte pasur kontakt me viktimën. Lidhur me këtë rast tashmë kanë nisur hetimet, raporton Gazeta Enigma.
Burimet e Sinjalit nga Emergjenca kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Qaush Shalën, afër trupit të të cilit u gjet edhe një armë me fishekë, por akoma nuk dihet nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo cilët janë shkaktarët e vdekjes së tij.
Posa rasti është raportuar, në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi mjekësor, që e ka konstatuar vdekjen e tij, ndërkohë që Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme, si dhe ka konfiskuar armën.
Mesohet se i ndjeri që një kohë të gjatë ka jetuar i vetëm dhe në vazhdimësi ka qenë në gjendje të rëndë emocionale, pasi ka vuajtur nga depresioni, që dyshohet se mund të lidhet me vdekjen e tij tragjike.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion dhe të nisin hetimet që zbardhin rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.