Tifozët e KB Pejës nuk e kanë pritur mirë lajmin se skuadrës së Trepçës i takon përparësia e terrenit në serinë finale të plejofit. Të hënën, Komisioni i Garave kishte caktuar orarin e ndeshjeve finale, ku kishte përcaktuar që përparësia e terrenit t’i takonte Pejës. Megjithatë, të martën këtë e rrëzuar Komisioni Arbitrar i FBK-së, pas ankesës së Trepçës.
Komisioni Arbitrar ka marrë vendim që përparësia e terrenit vendas në këtë seri finale t’i takojë Trepçës, duke i kërkuar Komisionit të Garave që ta shfuqizojë vendimin e tij.
Ndërkohë, tifozët e Pejës kanë reaguar në faqen zyrtare të FBK-së në Facebook.
Pasi ka postuar një fotografi për të paralajmëruar serinë e ndeshjeve finale të këtij edicioni që nis të mërkurën, në komente kanë reaguar ashpër tifozët e Pejës.
Ata kanë shkruar hashtagun #FBKmafia në shenjë pakënaqësie që përparësia e terrenit vendas t’i takojë Trepçës.