Media lokale nga veriu i Kosovës, ‘Kossev’ raportoi se të paktën 10 autobusë me targa të qyteteve të Serbisë janë futur në Mitrovicën e Veriut për t’iu bashkuar protestës së serbëve lokalë. Ndaj këtij raportimi ka reaguar Lista Serbe duke e quajtur si dezinformim.
Përmes një deklaratë të publikuar në Facebook, Lista Serbe thotë se në protestë kanë marrë pjesë vetëm serbë nga Kosova.
“Ne dënojmë fuqishëm dezinformimin e publikuar nga portali Kossev dhe mediat tjera shqiptare për arritjen e autobusëve nga Serbia me qytetarë që kanë marrë pjesë në Protestë. Në protestën e sotme poaqësore kanë marrë pjesë qytetarët serbë nga Kosova. Të pavërtetat që po plasohen kanë pasoja të rrezikshme dhe shërbejnë si alibi dhe shkak për përdorimin e dhunës ndaj njerëzve që janë paqësorë dhe shprehin me protesta të drejtat bazike. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të mbajnë qetësinë dhe të mos bien në provokime dhe gënjeshtra që po ndodhin në këtë moment senzitiv”, thuhet në deklaratë.
Protestat e serbëve në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë janë organizuar për të kundërshtuar mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.