Faruk Gashi, mjeku i cili u akuzua dje se për shkak të neglizhencës në punë, një pacientë ka humbur jetën, ka dalë me versionin e tij rreth kësaj çështje.
Gashi tha se rasti i videos që qarkullonte dje në rrjete sociale dhe rasti i vdekjes së pacientit janë krejtësisht të ndryshme dhe sipas tij nuk kanë të bëjnë me njëra-tjetrën.
Ai tha se pacienti që shihet në video, të cilën ai e quan kundërligjore, nuk është pacienti që ka ndërruar jetë, dhe se ai është gjallë dhe mirë me shëndet.
“Dje kam qenë kujdestar në QKMF në Lipjan , nga ora 7:00 në mëngjes deri në 19:00 në mbrëmje. Kemi pasur fluks të madh të pacientëve, kemi qenë dy mjekë, dhe siç dihet kohën e pauzës e kemi me rregull nga 9:30- 10:30, për shkak të fluksit të madh të pacientëve unë kam dalur me vonesë në pauzë diku rreth orës 9:45”.
“Në ora 10:06 më telefonoi mjekja me të cilën kemi qenë kujdestar dhe më ka thënë se nuk ka mjekë në emergjencë dhe duhet të shkosh deri sa të kthehen ekipa të cilët për momentin ishin në terren në një rast të rëndë. Sapo morra lajmin, shkova në emergjencë ku fillimisht ishin disa raste që morën shërbimete e nevojshme, por pas disa ҫastesh vie pacienti tash i ndjere, Pacienti ka qenë bashkë me familjarë të cilët janë dëshmitarë për përkushtimin që kam pasur ndaj pacientit”, është shprehur Gashi.
Më tej, Gashi tha se sipas simptomave të pacientit, ai ka dyshuar se atij është duke iu zhvilluar infarkt dhe ka kërkuar që t’i bëhet EKG-ja.
Ai thotë se motra e emergjencës i ka thënë atij se nuk punonte EKG-ja në emergjencë, ndërsa pas kësaj Gashi thotë se e ka ndihmuar pacientin të kalojë në pjesën e QKMF-së dhe të njëjtin e ka referuar për në ShSFKUK.
“Pacienti me familjarë u nis për në SHSKUK, por për pak minuta u kthyen sërish në emergjencë për shkak të përkeqësimit të gjendjes. Së bashku me familjarë e kemi vendosur pacientin në shtrat dhe kam filluar me reanimim kardiopulmonar. Unë isha duke e reanimuar kur u kthyen ekipa e emergjencës të cilët vazhduan me reanimim dhe e transportuan në SHSKUK”, është shprehur Gashi.
Gashi thotë se më vonë janë informuar se pacienti në fjalë ka ndërruar jetë në ShSKUK, teksa sipas tij, edhe familjarët e të ndjerit janë deklaruar se vdekja e pacientit nuk është pasojë e neglizhencës së tij, e as stafit mjekësorë.
“Pas disa orësh është realizuar një video qëllimkeqe që të them të drejten nuk e di nga kush dhe me çfarë tendenca, sepse kemi pasur shumë pacientë dhe kemi qenë të angazhuar në kryerjen e detyrave tona”.
“Për sa i përket suspendimit tim si mjek, nga drejtori i drejtoratit për të cilin kam respekt, mendoj qe është vendim i marrë nga mosinformimi i duhur i Drejtorit dhe duhet të rishikohet, sepse jo vetëm që nuk bëhet fjalë për neglizhencë, por kam qenë i angazhuar maksimalisht dhe me tërë qenien time”, është shprehur Gashi, përcjell Klankosova.tv.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Drejtori i Drejtoratit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Lipjan, Shkelzen Hajdini, ka suspenduar nga puna mjekun Faruk Gashin, pasi që ky i fundit u incizua duke i thënë një të moshuari që kishte dhimbje në gjoks se EKG-ja nuk funksionon.