Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se i dënon fuqishëm sulmet e sotme ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në veri të Kosovës.
“Gjithashtu shpreh shqetësimin tim për eskalimin e situatës dhe bëj thirrje që të ndalen sulmet e nxitura dhe të orkestruara nga Beogradi. Në të njëjtën kohë shpreh indinjatën time me veprimet e pakoordinuara të qeverisë së Republikës së Kosovës. Injorimi i kërkesave të aleatëve të vendit tonë dhe moskordinimi i veprimeve nuk janë në interesin e Republikës së Kosovës me aleatet”.
“Për këtë i bëj thirrje qeverisë që të rikthehet traditës disa dekadëshe të ndërtuar në Republikën e Kosovës për koordinim me aleatët amerikanë dhe evropianë”, ka thënë Pacolli.
“Sovraniteti dhe integriteti i Republikës së Kosovës mbrohet vetëm kur kemi koordinim me garantuesit e sigurisë së Republikës së Kosovës, aleatët amerikanë dhe evropianë në NATO”.
“Këto pamje të ditëve të fundit dhe posaçërisht sot, të eskalimit të gjendjes në veri, nuk ndihmojnë Republikën e Kosovës dhe vetëm e fusin vendin tonë në konfrontim të panevojshëm me aleatët, në kohën kur kemi më shumë nevojë për progres dhe zhvillim duke promovuar bashkërendimin me aleatët tanë”.