Reagon UNMIK-u pas deklaratës së Vuçiqit për misionin në Kosovë: Vendimet i merr Këshilli i Sigurimit

Reagon UNMIK-u pas deklaratës së Vuçiqit për misionin në Kosovë: Vendimet i merr Këshilli i Sigurimit

Zëdhënsja e UNMIK-ut, Sanam Dolatshahi, ka reaguar pas deklaratës së Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se Ndryshimet në Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë ,kërkojnë vendimin e Këshillit të Sigurimit.

Vuçiq tha se vendi i tij ka marrë informacione nga burimet e inteligjencës, se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova.

“Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1244 (1999) përcakton mandatin e prezencës civile ndërkombëtare dhe atë të sigurisë në Kosovë, dhe, si e tillë, çdo rregullim i Misionit kërkon një vendim të Këshillit të Sigurimit”, është thënë në përgjigjen e plotë të Dolatshahit për REL.

Vuçiq u ka thënë të enjten gazetarëve në Beograd se nuk mund të thotë se për cilën fuqi bëhet fjalë, porse informacionet janë nga “burimet zyrtare”.

Vuçiq ka thënë po ashtu se do të përpiqet të flasë për këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel.

“Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova. Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, ka thënë Vuçiq të enjten.

Sipas tij, tërheqja e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova do të ishte “një katastrofë”.

Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.

UNMIK-u, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore.

Institucionet e Kosovës kanë kërkuar më herët që misioni i UNMIK-ut të reformohet dhe të mbetet vetëm si zyrë përfaqësuese e OKB-së në Kosovë.

Related Articles