Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë raportimit në Komision, ka premtuar një varg ndryshimesh në sektorin e shëndetësisë, të cilat sipas tij do ta reformojnë në thelb sistemin shëdetësor në vend.
Gjatë raportimit para Komisionit paralamentar për Shëndetësi të martën, Vitia ka thënë se para vetes ka një sërë urgjencash dhe prioritete, derisa ka shtuar se ka mungesë të planifikimit.
“Gjatë këtij viti do të miratohet Ligji për Shëndetësisë bashku me atë për sigurime shëndetësore dhe këto dy ligje do të jenë thelbi i reformës në sektorin e shëndetësisë. Reformimi dhe përforcimi i inspektoratit shëndetësor, reformimi i SHSKUK-së, përforcimi i agjencisë për barna përfshirë Ligjin për rregullimin e barnave. Këto masa presim ta japin rezultatin e tyre këtë vit në gjashtë mujorin e parë. Ka një kulturë pune të munguar në planifikim”, ka thënë Vitia.
Sipas tij prioritete janë edhe sigurimi i profesionistëve shëndetësor në fushat deficitare, zvogëlimin e listave të pritjes, kontrollin e sigurisë së barnave dhe mbikëqyrjen e institucioneve private për shërbimet që ofrojnë.
Vitia po ashtu ka bërë të ditur se këtë vit planifikohet hapja e konkursit të ri për specializantët.