Refuzohet ankesa, Bellingham mbetet i suspenduar për dy ndeshje

Refuzohet ankesa, Bellingham mbetet i suspenduar për dy ndeshje

Real Madrid u përpoq ta kundërshtonte vendimin për pezullimin prej dy ndeshje të Jude Bellingham, por pa sukses.

Klubi paraqiti një ankesë në Komitetin e Apelit, duke argumentuar se përjashtimi i Jude Bellingham kundër Osasunës ishte i padrejtë. Së pari, sepse arbitri Munuera përshkroi në raport diçka ndryshe nga ajo që pretendonte lojtari: “U përjashtua për shkak të fjalëve që më tha nga një distancë e afërt: ‘Fuck You’”.

Megjithatë, Apeli u rreshtua me Komisionin e Disiplinës, duke lënë në fuqi pezullimin e Bellinghamit për dy ndeshje. Ai nuk do të luajë kundër Gironës (të dielën, ora 16:15) dhe as kundër Betisit (të dielën më 2 mars, ora 16:15).

Pas ndeshjes, Bellingham mbrojti pafajësinë e tij: “Është e qartë që është bërë një gabim, ka pasur një keqkuptim në komunikim. Nuk dua të përsëris atë që thashë, por ishte diçka më shumë si ‘joder’ (shprehje spanjolle që mund të përkthehet si ‘dreq’). Nëse e shikon videon, shihet qartë që nuk është e njëjta gjë siç thotë raporti i arbitrit. Shpresoj që Federata ta marrë këtë parasysh. Nuk e kam fyer askënd, shihet qartë në video. Madje, nuk e thashë drejtpërdrejt arbitrit, por për vete. Ishte një keqkuptim, një gabim i qartë nga gjyqtari”.

Ky qëndrim u mbështet edhe nga trajneri Carlo Ancelotti, i cili tha: “Nuk ka bërë asgjë”. Klubi tani po shqyrton opsionin e fundit, apelimin në Gjykatën Administrative të Sportit (TAD).

Mbrojtja e Real Madridit u bazua në prova video, të cilat u paraqitën para vendimit përfundimtar të pezullimit. Megjithatë, këto prova nuk u morën parasysh, ashtu si edhe raportet e ekspertëve të angazhuar nga klubi. Njëri prej tyre, Jeremy Freeman, është ekspert i njohur në fushën e leximit të buzëve për qëllime forenzike, ndërsa tjetri, David Hernanz de Lucas, është një gjuhëtar i specializuar në anglisht.

Gjithsesi, pasi bëhet fjalë për një pezullim të vogël, këto dy ndeshje prekin vetëm kampionatin spanjoll. Për këtë arsye, Ancelotti do të mund ta ketë Bellinghamin në dispozicion për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit kundër Real Sociedadit të mërkurën e ardhshme. Megjithatë, ai nuk do të mund të luajë kundër Atleticos në ndeshjen e parë të 1/8-ve të Champions League, pasi do të jetë i pezulluar për shkak të kartonëve. Real Madridit do t’i duhet të përballet me këtë sfidë pa Bellinghamin

Related Articles