Refuzohet kërkesa për lejimin e telefonatave për Thaçin, Veselin dhe Selimin

Refuzohet kërkesa për lejimin e telefonatave për Thaçin, Veselin dhe Selimin

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Me fillim të seancës, mbrojtja e Rexhep Selimit përmes avokatit Geoffrey Roberts ngriti një çështje  sa i përket vendimit për kushtet e paraburgimit.

Ndonëse ka vendim që mund të lejohen telefonatat, Mbrojtja e Veselit dhe Thaçit thanë se kërkesat e tyre janë duke u refuzuar.

“Janë bërë disa kërkesa për telefonata me anëtarët e familjes dhe janë refuzuar momentalisht. Pra, deri tani nuk janë lejuar telefonatat me familjen qofshin edhe të monitoruara”, tha mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Ben Emmerson.

Ndërsa, mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe tha se as klientit të tij nuk po iu lejohen telefonatat.

“Kam dhe unë nevojë të mbështesë atë që tha z.Emmerson sa i takon klientit tim, nuk  janë lejuar telefonatat”, tha Keohe.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se mund të ketë pasur ndonjë keqkuptim.

“Në rregull e kuptoj, mbase ka pasur ndonjë keqkuptim dhe unë i kërkoj ndjesë për këtë dhe unë do ta trajtoj këtë aspekt gjatë ditës së sotme”, tha Smith III.

Vlen të theksohet se çështja të cilën e ngriti mbrojtja e Veselit, përmes avokatit Geoffrey Roberts kishte të bënte me atë se kur do të zbatohet ky vendim.

“E vërejmë që kolegu ynë Keohe ka ngritur një cështje sa i përket kushteve të paraburgimit i cili ende nuk është zbatuar, a mund të na thotë diçka Zyra administrative kur do të zbatohet ky vendim dhe çfarë problematikash ka pasur për ta zbatuar këtë vendim”, tha Roberts.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, tha se janë takuar me zyrën administrative dhe po bëjnë të pamundurën që të zbatohet ky urdhër. Ai tutje shtoi se telefonatat mund të realizohen.

“Takuam dje zyrën administrative, po bëjnë të pamundurën për ta zbatuar këtë urdhër. Sa i takon telefonatave në familje ato do të monitorohen deri sa të dal një urdhër i ri”, tha Smith III.

Roberts tha se e kupton këtë gjë duke theksuar që klienti i tij e ka realizuar telefonatën e fundit të dielën.

“E kuptoj, por ama nuk kanë folur që të dielën. Të dielën ka qenë telefonata e fundit”, tha Roberts.

Related Articles