Dy sipërmarrës po e akuzojnë Komunën e Podujevës për pengim të dhënies së lejeve për një projekt të tyre në fshatin Batllavë të Podujevës.
Arkitekti Visar Geci, bashkë me bashkëpunëtorin e tij Blend Zymi, kanë akuzuar direkt drejtorin e Urbanizmit në Komunën e Podujevës, Leutrim Krasniqin, për këtë rast.
Klankosova.tv ka kontaktuar me ideatorin e këtij projekti, Visar Geci, i cili tha se hapi i tij i parë për t’u pajisur me leje ndërtimore për ndërtimin e disa kasolleve në Batllavë ka qenë duke kërkuar mendim profesional nga ana e Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, pranë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ai thotë se në përgjigjen e Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore thuhet se “sa i përket kërkesës suaj, vendosja e kasolleve (shtëpi malore montazh) të projektuara enkas për terrene të pjerrëta, pa pasur nevojë me ndërhyrjen në relievin ekzistues, meqenëse projekti i prezantuar nga kompania juaj, siç është paraqitur në projekt idenë, i cili nuk e atakon zonën e parë strike, zyrtarët kompetentë kanë ardhur në përfundim se realizimi i këtij projekti në parim nuk ndalohet, por fillimisht duhet të aplikohet për t’u pajisur me Kushte Ujore, siç e parasheh Udhëzimi Administrativ për Procedurat për Leje Ujore, me të cilat do të paraqiten kushtet dhe kriteret për realizimin e këtij projekt”.
Ndërsa, sipas Gecit, drejtori i Urbanizmit në komunën e Podujevës, Leutrim Krasniqi, ka kryer vepër penale, pasi sipas tij, i njëjti ka lëshuar dy dokumente me numër të njëjtë protokolli, ndonëse të lëshuara në data të ndryshme.
Në dokumentin e parë të Komunës së Podujevës, dokument ky i publikuar nga Geci, thuhet se “ju njoftojmë se kjo ngastër kadastrale ku pretendohet të bëhet ndërtimi i kasolleve të banimit është e përfshirë në hapësirën e përcaktuar si tokë pyjore, jo ndërtimore, bazuar në Planin Zhvillimor Komunal”.
Për këtë përgjigje, Geci tha për Klankosova.tv se drejtori i Urbanizmit, Leutrim Krasniqi, nuk është i thirrur ta bëjë, por sipas tij, Krasniqi është i thirrur vetëm të tregojë nëse Komuna ka ndonjë plan tjetër në parcelën përkatëse.
Ndërsa, në dokumentin e dytë të lëshuar nga Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Podujevës thuhet se “nga kjo ngastër kadastrale, ku pretendohet ndërtimi i kasolleve të banimit, ju njoftojmë se komuna e Podujevës nuk ka në projekt ndonjë investim për interesa publike – shoqërore. Parcela me nr. 00485 – 2 është e përfshirë në hapësirën e përcaktuar si tokë pyjore, bazuar në Planin Zhvillimor Komunal”.