Remitancat deri në fund të shtatorit 2023, arritën vlerën rreth 1,012.6 milion euro, që paraqet rritje prej 11% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Kështu thotë Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në raportin për statistikat financiare për institucionet tjera financiare për muajin shtator 2023.
Sipas këtij raporti, thuhet se remitancat kryesisht vijnë nga shtetet e BE-së, rreth 70% e gjithsej remitancave, prej të cilave kryeson Gjermania me 38.1% dhe ndiqet nga Zvicra me 17.6% ndërsa nga ShBA-ja rreth 7.5%.
“Sipas vlerësimeve preliminare, remitancat për muajin shtator ishin rreth 116.9 milionë euro. Prurjet më të mëdha edhe gjatë këtij muaji kanë qenë përmes IFJB 57.4%, kanalet tjera 24.4%, ndërsa përmes bankave 18.2%”, tha BQK-ja.
BQK-ja thotë po ashtu se asetet e ndërmjetësve tjerë financiarë në fund të muajit shtator 2023 janë rritur për 3.1 milionë euro krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën 479.0 milionë euro.
“Struktura e aseteve të sektorit mikrofinanciar dominohet nga kreditë të cilat përbejnë 70.9% të gjithsej aseteve. Kreditë bruto të ndërmjetëseve tjerë financiarë në shtator 2023 shënuan vlerën për rreth 339.7 milionë euro, rritje kjo për 5.4 milionë euro krahasuar me periudhën paraprake. Kreditë ndaj ekonomive familjare në shtator 2023 përfaqësojnë 62.4% të gjithsej kredive të sektorit mikrofinanciar”, thekson BQK-ja në këtë raport.
Për sa u përket aseteve të kompanive të sigurimit në shtator 2023, BQK-ja thotë se ato kanë vlerën 298.1 milionë euro, e cila përfaqëson një rritje prej 2.2 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.
“Struktura e aseteve në sektorin e sigurimeve përbehet nga bilanci me bankat komerciale që përbëjnë 46.3% letrat me vlerë dhe asetet e tjera përbëjnë 28.2 % të aseteve ndërsa risigurimet e përbëjnë 15.0 % të gjithsej aseteve”, thuhet në raport.
Ndërkaq, BQK-ja thotë se asetet e Fondeve Pensionale në fund të muajit shtator 2023 kanë arritur vlerën 2.62 miliardë euro, “e cila përfaqëson një rritje prej 8.34 milionë euro krahasuar me muajin paraprak”.
“Struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit që përbëjnë 75.2% të gjithsej aseteve. Vlera e tyre në shtator 2023 ka arritur në 1.97 miliardë euro, duke shënuar rënie për 13.3 milionë euro krahasuar me muajin paraprak”, theksoi BQK-ja.