Rëndësia e teknologjisë si mënyrë e adresimit të çështjeve sociale gjatë kohës së COVID — 19

Rëndësia e teknologjisë si mënyrë e adresimit të çështjeve sociale gjatë kohës së COVID — 19

“Covid-19 i bëri njerëzit të kuptojnë se me teknologji çdo gjë është e mundur”, kështu e përshkruan ndikimin e teknologjisë tek njerëzit gjatë periudhës së pandemisë “Covid -19”, 20 vjeçarja, Rrezearta Thaçi. Rrezearta, e cila është studente e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në Universitetin e Prishtinës, thotë se teknologjia i ka ndihmuar njerëzit që ta përballojnë më lehtë pandeminë, duke ua lehtësuar kryerjen e shërbimeve në këto kohëra të vështira.

“Mund të them se “Covid-19” ka pasur pak a shume një ndikim “pozitiv” të themi në rritjen e ndikimit të teknologjisë në Kosovë. Covid — 19 vuri në pah ndikimin e teknologjisë në jetën e njerëzve. Si pasoje e karantinës njerëzit e kalonin kohën e lirë në pajisje të ndryshme teknologjike të cilat ua zëvendësonin përditshmërinë që e kishin para fillimit të pandemisë”, është shprehur ajo.

Gjithashtu në kohën e pandemisë teknologjia iu mundësoi shumë njerëzve që aktivitetet ditore t’i kryenin më lehtë. Të shumtë ishin njerëzit që filluan punën online nga shtëpia, kurse në vend të mësimit nëpër shkolla, fëmijët filluan të mësonin në një format ndryshe. Po ashtu, shumica e blerjeve nga qytetarët anembanë botës po kryheshin online. Tashmë teknologjia kishte marrë një kah tjetër, njerëzit po e shfrytëzonin atë për të adresuar çështje të ndryshme sociale. Si pasojë e situatës së krijuar, të rinjtë, u detyruan që të mësonin e t’i përkushtoheshin më shumë zhvillimit të aftësive të tyre digjitale.

Studentja e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Rrezearta e ka shfrytëzuar kohën e lirë që kishte gjatë pandemisë, që të aftësohet në fushën e teknologjisë. Ajo ishte një ndër pjesëmarrëset e trajnimeve të “Techstitution 4.0”, ku ndër të tjera u aftësua në zhvillimin e Web-aplikacioneve.

Gjatë trajnimit në Techstitution kam mësuar shumë gjëra të rëndësishme për Web Development. Pjesa e mentorimit ka qenë shumë e mirë, gjithashtu edhe ligjëruesja ka qenë shumë bashkëpunëtore me neve duke mbajtur gjithmonë interaktivitetin gjatë trajnimit. Unë jam ndarë shumë e kënaqur me ato që kam mësuar në këtë trajnim pasi që më kanë ndihmuar shumë në zhvillimin tim të mëtutjeshëm në këtë fushë”, ka thënë Rrezearta.

Trajnimi ‘Techstitution 4.0’, i ndjekur nga Rrezearta organizohet nga “Open Data Kosovo” dhe ka për qëllim aftësimin e të rinjve në fushën e Teknologjisë, përkatësisht zhvillimit të Webit, zhvillimin e zgjidhjeve digjitale për institucionet publike në Kosovë, apo për organizata të ndryshme. Në këtë projekt, i cili financohet nga UNICEF dhe Austrian Development Agency, i nisur nga viti 2016, deri tani janë trajnuar 517 të rinj dhe janë zhvilluar 11 zgjidhje digjitale, përgjatë 4 edicioneve të projektit. Nga 517 pjesëmarrës në Techstitution, 281 prej tyre kanë qenë femra, kurse 236 meshkuj.

Ndërkohë, se ndikimi i teknologjisë është rritur në kohën e pandemisë, vërtetohet edhe me të gjeturat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ku sipas anketimit të realizuar, rezulton se në vitin 2020 ekonomitë familjare në Kosovë kanë pasur qasje në internet nga shtëpitë, nga çfarëdo pajisje prej 96.4%, ndërsa 3.4% e ekonomive familjare janë deklaruar se nuk kanë pasur qasje në internet nga asnjë lloj pajisje. Sipas këtij hulumtimi qasja në internet kryesisht ka qenë nga telefoni celular, pasuar nga laptop/kompjuter portativ, kompjuter desktop, tablet etj. Ndërkaq përdorimi i internetit për qëllime private për shfrytëzimin e shërbimeve publike online për të procesuar kërkesat/shërbimet janë vërejtur rritje në përqindje krahasuar me vitin paraprake.

Edhe Enes Hyseini, ka ndjekur trajnimin e “Techstitution” për tu aftësuar në fushën e Teknologjisë. Ai thotë se nga trajnimi i ndjekur ka dal me njohuri të dobishme për Web Development, të cilat do t’i ndihmojnë atij në karrierën dhe zhvillimin e profesionit të tij.

Enesi beson se me përhapjen e pandemisë, është rritur edhe shfrytëzimi e teknologjisë tek të rinjtë.

Sipas tij, mundësitë që ofron teknologjia kanë lehtësuar jetën e qytetarëve në kohën e Covid — 19. “Teknologjia definitivisht e ka lehtësuar jetën tone! Impakti i teknologjisë gjatë pandemisë ka qenë shumë i madh, sidomos kur marrim parasysh se përveç institucioneve arsimore, shumë biznese të tjera gjithashtu u detyruan të adaptonin një format krejt të ri, me epiqendër Teknologjinë”, është shprehur ai.

Autore: Arlinda Kqiku

*Ky artikull u publikua në kuadër të projektit Techstitution 4.0. që është projekt i financuar nga Programi UNICEF për Kosovë dhe Agjencia Austriake për Zhvillim dhe u zbatua nga Open Data Kosovo.

Related Articles