Rëndim i nacionalizmit në Serbi pas paralajmërimit për masa

Rëndim i nacionalizmit në Serbi pas paralajmërimit për masa

Mesazhe nacionaliste po jepen në Serbi pas paralajmërimit se në Bashkimin Evropian po përgatiten masa ndëshkuese. Presidenti i Serbisë ka thënë gjatë ditës se nuk do ta lejojë spastrimin etnik të serbëve. Ndërkohë, tifozëria e Vojvodinës e ka përmendur emrin e kriminelit të luftës Ratko Mladiq në ndeshjen me Novi-Pazarin.

Një ditë pasi raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave ndëshkuese kundër Serbisë nëse s’ndërmerr hapa për hetimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, në Serbi janë dhënë mesazhe nacionaliste.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “në Kosovë situata është jo e lehtë”, derisa ka përsëritur deklaratat kërcënuese se nuk do ta lejojë spastrimin etnik të serbëve.

“Çka do që disa njerëz bëjnë kundër shtetit, ne nuk do ta lejojmë spastrimin etnik brutal të njerëzve tanë kudo. Ajo kolonë, që erdhi në shtetin tonë, e që Danubi s’mund t’ua përpinte lotët e vuajtjet e popullit tonë, nuk guxon të ndodhë kurrë më”, ka thënë Vuçiq.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu si Bashkimi Evropian, i kanë kërkuar Serbisë ta bëjë një hetim të plotë të sulmuesve që hynë nga Serbia në Kosovë.

E faqja ultra-nacionaliste “Kombi i Bashkuar Serb” në Youtube e ka shpërndarë një video teksa ambasadori amerikan, Christopher Hill, duke ecur në Beograd ndiqet nga një grua që e akuzon atë për vrasjen e fëmijëve serbë gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi.

Gruaja që e ka xhiruar videon dëgjohet duke bërtitur me urrejtje në drejtim të diplomatit amerikan duke e quajtur Hillin “vrasës” e “okupator”.

E mesazh dhune kanë dhënë edhe tifozët e klubit futbollistik të Vojvodinës në një ndeshje me Novi-Pazarin.

Ata e kanë thirrur emrin e kriminelit të luftës Ratko Mladiq, i dënuar për vrasjen e myslimanëve të Bosnjës, gjatë ndeshjes në drejtim të tifozëve të Novi-Pazarit, që identifikohen si myslimanë.

Tifozët e Novi-Pazarit, ndër të tjera, u janë kundërpërgjigjur duke e thirrur emrin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, liderët e institucioneve të Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të merr masa ndaj Serbisë. Madje presidentja Osmani në Samitin e Grandës ka thënë se para se të vazhdohet dialogu me Serbin duhet që së pari të merren masa ndaj këtij shteti.

Related Articles