“Respekt dhe besim i veçantë”: Xhaferi reagon pasi propozohet për kryeministër në Maqdoninë e Veriut

“Respekt dhe besim i veçantë”: Xhaferi reagon pasi propozohet për kryeministër në Maqdoninë e Veriut

Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ka propozuar për kryeministër teknik kryeparlamentarin aktual Talat Xhaferi.



Në lidhje me ketë ka reaguar, Talat Xhaferi.

Xhaferi ka thënë se do t’i përgjigjet detyrës së re me përgjegjësi, kjo për të realizuar pritshmëritë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Për mua do të thotë respekt i veçantë dhe besim i veçantë nga organet partiake për të nominuar për kryeministër dhe s’do mend se besoj se me përgjegjësinë më të madhe do të përgjigjem ndaj përgjegjësisë së re e cila më është besuar”, tha Xhaferi për TV21.

Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, nga 28 janari i vitit të ardhshëm, do të emërohet, Talat Xhaferi, kryetari aktual i Kuvendit në këtë vend.

Ky vendim u bë i ditur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të premten, pas mbledhjes së kryesisë qendrore të kësaj partie.

Nga BDI-ja thanë se me këtë do të realizohet premtimi i saj për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Talat Xhaferi do të udhëheqë qeverinë teknike, praktikë qysh prej vitit 2016, ndërsa ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.

Zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, sipas marrëveshjes së partive politike, të arritur më 4 dhjetor, do të mbahen më 8 maj. Të njëjtën ditë do të votohet edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, pasi raundi i parë do të mbahet më 24 prill.

Qeveria teknike 100-ditëshe, para zgjedhjeve parlamentare, ishte një marrëveshje mes partive, pas rënies nga pushteti të Nikolla Gruevskit, i cili akuzohej për keqpërdorime të shumta zgjedhore në të kaluarën.

Por, që në krye të qeverisë teknike të ketë një shqiptar, kishte edhe një marrëveshje të tjetër, të arritur më 18 gusht 2020, mes ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Opozita maqedonase, që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, e ka kundërshtuar caktimin e Talat Xhaferit, apo të cilitdo qoftë kuadri tjetër të BDI-së për këtë pozitë, pasi partinë e akuzon për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.

Kjo parti kishte propozuar heqjen e Qeverisë teknike dhe që mandati i kryeministrit aktual të vazhdonte deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

VMRO-DPMNE opozitare pritet, gjithashtu, të përfaqësohet në Qeverinë teknike me ministra të Punëve të Brendshme dhe Punës e Politikës Sociale, si dhe me tre zëvendësministra për Financa, për Bujqësi dhe për Shoqëri Informative dhe Administratë. Nuk dihet ende se cilët do të jenë kuadrot e partisë opozitare në qeverinë e re.

Data për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe presidenciale pritet të dekretohet nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi deri në fund të muajit dhjetor.

Postin e kryetarit të Kuvendit në tre muaj e fundit të kësaj përbërjeje pritet ta marrë Jovan Mitrevski, kryetari i grupit parlamentar të LSDM-së.

Related Articles