Nesrije Paqarada, specialistes e mjekësisë familjare, thotë se bartja e maskave dhe respektimi i distancës ka rezultuar në ulje të rasteve me grip sezonal.
Paqarada shtoi se pasi që gripi sezonal bartet përmes teshtimës, ka gjasa që bartja e maskës dhe ruajtja e distancës për shkak të pandemisë, ka bërë që këtë vit të ketë numër më të ulët të rasteve me grip sezonal.
“Këto ditë kemi më pak raste me grip sezonal, gripi sezonal është një infeksion viral ngjitës i organeve të frymëmarrjes dhe rrugëve të frymëmarrjes. Shkaktohet nga disa tipe të virusit A, B dhe C. Në këtë vit nuk kanë qenë shumë të shpeshta rastet, ndoshta mund të themi që përdorimi i maskave dhe i distancës ka kontribuar që numri i pacientëve me infeksione virale pra me grip sezonal ka qenë më i vogël, për shkak se gripi sezonal shpërndahet dhe e ka burimin te njeriu i sëmur i cili gjatë kollitjes apo teshtimës mund të qet spërklat të cilat mund të përcillen pastaj te personat e tjerë. Nuk është bërë ndonjë studim i veçantë por si doktoreshë mendoj që përdorimi i maskave dhe ruajtja e distancës e ka zvogëluar numrin e pacientëve me grip sezonal”, është shprehur ai.
Specialistja e mjekësisë familjare po ashtu ka treguar se ka pasur një numër të madh të të moshuarve të interesuar për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal.
“Mund të jetë edhe vaksinimi që tek ne bëhet çdo vit, vaksinimi i personave më të vjetër me vaksinën kundër gripit sezonal për të cilën mund të themi që vendin tonë është mjaftë e suksesshme për shkak se ajo që e prevenon gripin se disa raste edhe nëse vaksinohen mund të ju bjerë gripi por pengohen komplikimet të cilat mund të pasojnë si rezultat i infeksioneve virale”.
“Vaksinimi me vaksinën kundër gripit sezonal bëhet në muajin tetor, ka qenë një numër mjaftë i madh i të moshuarve dhe punëtorëve tjerë të cilët kanë qenë të ndikuar dhe vaksinimi është kryer në afat të mirë kohor. Vaksinën kundër gripit e marrin personat mbi moshën 65 vjeçare por edhe me të rinjë që kanë sëmundje kronike. Ajo ndikohet të merret sepse në momentin që merret vaksina kundër gripit dhe nëse nuk i bien personit gripi atëherë është më i lehtë për të përballuar sëmundjet që ka”, ka shtuar ajo.
Paqarada gjithashtu ka treguar se ka vështirësi në gjetjen e dallimit mes simptomave të gripit sezonal dhe virusit Corona.
Ajo ka thënë se si dallim i vetëm që kanë arritur të evidentojnë deri më tani është vetëm koha e inkubacionit, ku gripi sezonal zgjatë deri tri ditë kurse personi me Covid ka simptoma deri në shtatë ditë.
“Dallimi mes gripit sezonal dhe virusit Covid në aspektin e paraqitjes së simptomave është mjaftë i vështirë për shkak se në të dy rastet kemi temperaturë, ethe, lodhje e dhimbje koke kështu studimet më vonë do të tregojnë ndonjë barrierë shumë më të rëndësishme se si kemi me i nda. Aktualisht ndarjet i bëjmë vetëm përmes testimit”.
“Nëse dyshojmë në një pacientë me të gjitha këto simptome se mund të ketë Covidin e bëjmë testin PCR. Një dallim që kemi vërejtur është inkubacioni i gripit sezonal apo koha e infeksiozitetit të pacientit zgjatë 1-3 ditë kurse te Covidi shkon prej 6-7 ditë. Vdekshmëria për shkak të gripit sezonal është shumë më e vogël kurse te Covidi është më e madhe deri në 5 për qind”, ka përfunduar ajo.