“Rezoluta 1244 nuk ka bazë për hyrje të forcave serbe në Kosovë”

“Rezoluta 1244 nuk ka bazë për hyrje të forcave serbe në Kosovë”

Ambasadorja gjermane në Serbi Anke Konrad ka deklaruar për TV N1 se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit nuk ofron bazë për futje të ushtrisë serbe në Kosovë, dhe se marrëveshja përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë është në tryezë.

“Ka pasur përparim në disa çështje, por është e nevojshme që Serbia dhe Kosova të përfitojnë nga rasti për të arritur marrëveshjen përfundimtare dhe të mos kalojnë nga kriza në krizë dhe të krijojnë tensione të reja”, ka thënë Konrad.

“Ne kemi një varg provokimesh dhe hapash të ndërsjellë që njëra apo tjetra palë i percepton si provokim. Kjo duhet të ndalet, është e rëndësishme t’i kthehemi bisedimeve për normalizim”, ka përsëritur ambasadorja.

Konrad ka thënë se, sipas qëndrimit të Gjermanisë, rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk ofron bazë për kthimin e forcave serbe në veri të Kosovës, por KFOR-i është ai që duhet t’i përgjigjet kërkesës së Serbisë dhe përgjigjja duhet të pritet prej tij.

E pyetur nëse dokumenti gjermano-franceze është propozim për marrëveshje përfundimtare, Konrad ka thënë se një dokument i tillë është propozim i BE-së dhe negociatat janë duke u zhvilluar me ndërmjetësimin e të dërguarit Miroslav Lajçak.

“Është një propozim për të treguar perspektivën për të dyja palët dhe në cilin drejtim mund të shkojë marrëveshja”, ka thënë Konrad dhe ka theksuar se është një dokument që krahas marrëveshjes së Brukselit, mund të tregojë rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Ajo nuk është përgjigjur drejtpërdrejt në pyetjen se a është kjo bazë për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ka thënë se letra u është ofruar të dyja palëve dhe varet prej tyre se si do t’i zhvillojnë negociatat dhe çfarë do të ketë marrëveshja.

Konrad ka thënë se i vjen keq për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandr Vuçiq, se ai “nuk u beson gjermanëve”, sepse Gjermania është shumë e përfshirë në zgjidhjen e këtij konflikti.

“Nga Serbia pritet të harmonizohet me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të anëtarësimit”, ka bërë të qartë ambasadorja gjermane.

“Çështja kryesore në procesin e anëtarësimit në BE është harmonizimi me BE-në, por gjithçka nuk duhet të kufizohet vetëm në këtë. Unë fola për sundimin e ligjit dhe fusha të tjera në të cilat duhet të bëhet përparim. Ne presim nga Serbia, si kandidate, që të bashkohet sanksioneve kundër Rusisë”, ka thënë qartë Konrad.

Related Articles