Rezultatet e zgjedhjeve në komunat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut

Rezultatet e zgjedhjeve në komunat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut

Ka përfunduar raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, ndërsa partitë politike kanë filluar me festat në komunat ku kandidatët e tyre kanë arritur fitore.

KSHZ ka filluar me publikimin e rezultateve të para për këto zgjedhje lokale, të cilat nga ana e tyre u vlerësuan si fer dhe demokratike, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në Komunën e Tetovës fitore ka shpallur kandidati i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Në Komunën e Gostivarit edhe një mandat kryetar do të jetë Arben Taravari, ndërsa në Çair BDI ka shpallur fitoren e kandidatit të tyre, Visar Ganiu.

Në Komunën e Strugës ka fituar Ramiz Merko, i cili edhe për katër vite tjera do të jetë kryetar komune, kurse poashtu edhe në Kërçovë kryetar komune do të jetë edhe një mandat Fatmir Dehari. Edhe Merko, edhe Dehari janë kandidatë nga partia BDI.

Në Komunën e Kumanovës fitore ka shpallur kandidati i pavarur Maksim Dimitrievski, kundrejt kandidatit të LSDM-së, Oliver Ilievski.

Kurse në Bashkinë e Shkupit fitore ka shpallur kandidatja e pavarur Danella Arsovska, e cila është përkrahur nga partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM. Në garë për Bashkinë e Shkupit ajo ka qenë me kryetarin aktual Petre Shilegov.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit nga KSHZ dalja në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve lokale ka qenë mbi 48 përqind.

/Gazeta Enigma/

Related Articles