Rinia e PDK-së me faturë gjigante kundërshton rritjen e rrymës: Shtytje drejt varfërisë

Rinia e PDK-së me faturë gjigante kundërshton rritjen e rrymës: Shtytje drejt varfërisë

Rinia Demokratike e Kosovës sot përmes një aksioni simbolik para Ministrisë së Ekonomisë, ka kundërshtuar paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, mungesës së saj dhe faturave gjithnjë e më të papërballueshme për qytetarët e Kosovës.

Gjatë aksionit, të rinjtë e PDK-së lanë para kësaj ministrie edhe një faturë simbolike të përmasave të mëdha, e cila paraqet “realitetin e hidhur të çmimeve të larta dhe jetesës me borxhe të familjeve kosovare”, thanë nga kjo parti.

Në emër të Rinisë Demokratike të Kosovës, para mediave foli kryetari i Degës së RDK-së në Prishtinë, Trim Syla, i cili theksoi se ky aksion është një thirrje për përgjegjësi dhe ndalje të goditjes së drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve.

“Sot s’kemi ardhë me pankarta. Kemi ardhë me një faturë. Një faturë që po e ngulfatë jetën e qytetarëve çdo muaj. Një familje në Kosovë, me 1000 euro të ardhura mujore, ka 1085 euro shpenzime bazike. Pa luks. Pa pushime. Pa kursime. Vetëm bukë. Vetëm rrymë. Vetëm ngrohje. Vetëm qira, ilaçe dhe shkollë për fëmijët. Minus 85 euro çdo muaj. Çdo muaj fillon me borxhe. Çdo muaj mbyllet me frikë”, tha Syla.

Syla tha se kjo faturë është “moster e një familje të vogël, ku dy prindërit janë të punësuar”.

“Paramendojeni sa e vështirë është jeta për ta. E lëre më për një familje që ka vetëm një anëtar të punësuar. Aty nuk flasim më për vështirësi. Aty flasim për mbijetesë. Shkaku kryesor? Rryma. 175 euro faturë mujore për energji elektrike. Rritja prej 21% e çmimit të energjisë elektrike nuk është reformë. Është goditje direkte ndaj familjes. Është shtytje drejt varfërisë”, shtoi Syla.

Ai ka thënë se qytetarët “jo vetëm që po varfërohen, por ata edhe po vidhen”.

“Sepse, sipas tij, kur rritet rryma, rritet buka, rritet transporti, rritet gjithçka, veç paga jo”.

“Energjia nuk është luks. Është nevojë bazike. Sot, kjo faturë do të qëndrojë këtu deri sa dikush të marrë përgjegjësin, sepse Kosova nuk mund të qeveriset duke e ftohur shtëpinë e qytetarit, për ta ngrohur propagandën e Albin Kurtit”, ka përfunduar Syla.

“Rinia Demokratike e Kosovës kërkon ndaljen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, transparencë në menaxhimin e sektorit energjetik dhe politika që mbrojnë qytetarët, e jo që i shtyjnë ata drejt varfërisë dhe borxheve”, u tha në fund.

Related Articles